Piktura më lart e titulluar "Mbledhja e 81 Partive në Moskë", është realizuar nga artisti i mirënjohur Guri Madhi në vitin 1981.
Kjo vepër ishte një porosi e Komitetit Qendror të Partisë në shtatorin e vitit 1973, me rastin e tridhjetë vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe njëkohësisht të përurimit të godinës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve, në ambientet ku ndodhet aktualisht.
Piktura pasqyron Mbledhjen e Moskës më 1960. Në të është paraqitur Enver Hoxha duke mbajtur fjalim, Mehmet Shehu si edhe mbështetja kineze. Në krahun përballë janë dhënë Nikita Hrushovi dhe Gomulka.
Enver Hoxha dhe krahu i tij janë përballë dhe paraqitur në mënyrë madhështore kurse Hrushovi dhe përfaqësuesit e vendeve ish socialiste të vegjël dhe kruspull e madje gjysëm qesharakë por edhe të shumtë në numër.
Guri Madhi u lind në Korçë, më 15 maj 1921. Ishte një nga tre pedagogët që themeluan Institutin e lartë të Arteve figurative (sot Akademia e Arteve) në Shqipëri.
Për veprimtarinë e tij në artet figurative, Guri Madhi nderohet nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Naim Frashëri” – shkalla e parë në vitin 1972.
Në vitin 1976, Guri Madhit iu dha nga Presidenti i Shqipërisë titulli “Artist i Popullit”, titull i rëndësishëm dhe njohja më e madhe për një artist.
Me artin e tij, Guri Madhi preku momente të rëndësishme për vendin tonë të cilat mbeten si dëshmi e një arti të angazhuar, krijuar nga një artist patriot. Temat patriotike dhe historike zënë një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij.
Në vitin 1989, për nder të tij, Galeria e Arteve e qytetit të tij Korçë u emërua me emrin e tij Galeria “Guri Madhi”.
Në vitin 2009 emri i tij u zgjodh nga pogradecarët si një nga 100 personalitetet e Europës, emrat e të cilëve përmenden në Bulevardin “100 hapat drejt Europës” në Pogradec-Shqipëri.
Guri Madhi u nda nga jeta në Budapest (Hungari) në qershor 1988.