Kristjan Asllani mbetet një nga çështjet e pazgjidhura të merkatos së verës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk është më në planet e Interit, por largimi i tij nuk po realizohet lehtë.
Në tre sezone me zikaltrit, Asllani nuk ka arritur të sigurojë një vend si titullar. Me afrimin e kroatit Petar Sucic, pozitat e tij janë dobësuar edhe më shumë. Interi kërkon ta shesë mesfushorin për një shumë prej 18 deri në 20 milionë euro, por kjo kërkesë është bërë pengesë, veçanërisht për klubet brenda Serie A, ku lojtari dëshiron të vazhdojë karrierën.
E vetmja ofertë konkrete nga jashtë ka ardhur nga Betis, por ajo u refuzua si nga Interi, ashtu edhe nga vetë Asllani, i cili nuk e shihte ekipin spanjoll si destinacion të përshtatshëm.
Aktualisht, interes për të kanë treguar Bologna dhe Fiorentina, por asnjëra nuk është e gatshme të përmbushë kërkesën e Interit për një shitje të plotë. Zikaltrit nuk pranojnë huazim, çka ka bërë që situata të mbetet në vendnumëro.