Sot shënohet 35-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, një nga ngjarjet më historike në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës. Ky akt u shpall nga delegatët shqiptarë në kushte të jashtëzakonshme, të rrethuar nga forcat policore serbe, dhe konsiderohet si themeli juridik dhe politik i shtetësisë së Kosovës.
Tre partitë kryesore politike, LDK, PDK dhe AAK, kanë kujtuar këtë moment me mesazhe nderimi për delegatët që vepruan me guxim e vizion. LDK e cilësoi deklaratën si pikënisjen e lëvizjes për liri dhe demokraci të udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova. PDK theksoi se ajo u mbështet në parimet universale të lirisë dhe barazisë, duke i paraprirë Kushtetutës së Kaçanikut. Ndërsa Ramush Haradinaj nga AAK e përshkroi si fillet e Republikës së Kosovës dhe si dëshmi e vendosmërisë për mëvetësi.
Ky përvjetor përkujtohet me krenari si një gurthemel i shtetit të Kosovës dhe aspiratës së saj për integrim euroatlantik.
/S.B/Liberale.al/