Me një njoftim prekës dhe solemn, Ambasada Gjermane në Tiranë bëri publik lajmin për ndarjen nga jeta të Ambasadorit në pension Werner Daum, në moshën 82-vjeçare, gjatë një vizite në Shqipëri.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Ambasadorit në pension Werner Daum, i cili ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, gjatë një vizite në Shqipëri,” – thuhet në deklaratën zyrtare të Ambasadës, e cila shoqërohet me homazhe për kontributin e jashtëzakonshëm të tij në marrëdhëniet shqiptaro-gjermane dhe në historinë e Shqipërisë së tranzicionit.
Emri i Werner Daum lidhet ngushtësisht me ngjarjet e korrikut të vitit 1990, kur si i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, bëri të mundur largimin drejt Gjermanisë të mbi 3.200 shqiptarëve që kërkonin shpëtim nga regjimi komunist. Ky akt mbetet një ndër momentet më simbolike të ndihmës gjermane ndaj shqiptarëve në kohë të vështira.
“Ambasadori në pension Daum mbetet në kujtesën e shumë njerëzve në Shqipëri,” vijon deklarata, duke kujtuar gjithashtu rolin e tij të mëvonshëm si ambasador në Kuvajt, në Sudan, si dhe veprimtarinë e tij si historian i vlerësuar.
Ambasada shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, ndërsa thekson se do ta kujtojë me nder dhe respekt figurën e Ambasador Daum:
“Ambasada do të kujtojë me nder figurën e tij.”