Një incident i rrezikshëm ndodhi dje pasdite në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Denverit, kur një aeroplan pasagjerësh i kompanisë American Airlines u përfshi nga flakët.
“Fluturimi 3023, ke shumë tym,” i tha kontrolli i trafikut ajror pilotit, sipas 9News, dega lokale e NBC-së. “Je në të vërtetë në flakë,” shtuan ata pak çaste më vonë.
Në bord ndodheshin 173 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, të cilët arritën të evakuoheshin të gjithë në mënyrë të sigurt. Vetëm një pasagjer u dërgua në spital me lëndime të lehta.
Sipas një deklarate për Daily Beast, një zëdhënës i American Airlines sqaroi se bëhej fjalë për një incident mekanik që përfshinte gomat e avionit, i cili ndodhi gjatë përpjekjes për ngritje rreth orës 14:45 me orën lokale. Avioni, një Boeing 737 MAX 8, ishte nisur me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit.