ezat e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë janë shpërndarë në rrjetet sociale brenda një ore nga nisja e testimit. Menjëherë pas këtij publikimi ka ardhur reagimi i Ministrisë së Arsimit, e cila ka deklaruar se provimi po zhvillohet sipas standardeve dhe se procesi nuk është cenuar.
“Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë po kryhet sipas standardeve, nuk cenohet procesi. Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë. Publikimi i tezës së provimit të lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, pas fillimit të procesit të testimit nuk e cenon aspak ecurinë dhe besueshmërinë e procesit të provimit të Maturës Shtetërore. Rreth 27 mijë maturantë, në 145 qendra provimi në të gjithë vendin, po zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kushte të qeta dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të parashikuara në rregulloren e Maturës. Institucionet arsimore, në bashkëpunim me MAS-in, mbeten të angazhuara për të ofruar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për çdo maturant.”
Publikimi i tezave të Maturës Shtetërore është një fenomen që ndodh sa herë zhvillohen provimet.
Në shkallë vendi, sipas Ministrisë së Arsimit, janë rreth 27 mijë maturantë që i nënshtrohen provimeve për të vijuar më pas me aplikimet në arsimin e lartë.
Provimi i parë ishte ai i gjuhës së huaj, i zhvilluar më 3 qershor. Ndërsa më 17 qershor do të zhvillohet provimi i matematikës, dhe më 24 qershor maturantët do ta përfundojnë sezonin me lëndën me zgjedhje.