Durrësi ka tashmë një vend të ri për të vizituar – Hamami turk, një monument kulture me rëndësi të veçantë, është rihapur për publikun pas një restaurimi tërësor.
Kjo godinë historike, që daton në shekullin XVIII, është një nga vetëm dhjetë hamamet që kanë mbijetuar në Shqipëri. Për herë të parë, ajo është e hapur për vizitorët vendas dhe të huaj, falë një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit EU4Culture, me një fond prej 32 milionë lekësh.
Hamami u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019 dhe u përfshi në listën e ndërtesave historike që do të restauroheshin. Po nga ai tërmet u dëmtua edhe Muzeu Arkeologjik Kombëtar i Durrësit, i cili pritet të rihapet në vjeshtën e këtij viti, pasi restaurimi vazhdon prej tre vitesh.
Hamami ndodhet pranë bulevardit “Epidamn”, vetëm disa qindra metra larg banjave romake të lashta, duke i dhënë kështu Durrësit një tjetër vlerë historike për vizitorët. Ai ka funksionuar si hamam deri në fund të shekullit XIX, ndërsa në fillim të viteve 2000 u kthye për disa kohë në kafene.