Prokuroria e Korçës ka marrë zyrtarisht nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës ish-drejtorin e burgut të Drenovës, Fatjon Fasho, dhe ish-shefin e policisë, Sokol Kaçoli.
Hetimi ka nisur pas takimit të modeles nga Kosova, Ziza Pajaziti, me të dënuarin me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu.
Burime zyrtare nga Prokuroria bëjnë të ditur se kjo është vetëm faza e parë e hetimit. Pritet të sekuestrohet protokolli i ndjekur nga Drejtoria e Burgjeve për rastin, si dhe rregullorja e brendshme e burgjeve, për të hetuar më tej mënyrën se si është zbatuar ky protokoll nga stafi i burgut.
Ndërkohë, po verifikohet edhe dokumenti i martesës së Ziza Pajazitit me të burgosurin Vladimir Kurti, i paraqitur pranë Drejtorisë së Burgjeve. Dyshohet se në vend të Kurtit, në takim me Pajazitin ka shkuar Laert Haxhiu.
Nëse gjatë hetimeve dalin prova për korrupsion, dosja do të kalojë për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme.
Pak ditë më parë, Fatjon Fasho u shkarkua nga detyra, ndërsa Sokol Kaçoli u pezullua, pasi në qelinë e Laert Haxhiut u gjet një telefon celular.