Pas përhapjes së flakëve në disa fshatra të Gramshit, banorët e prekur janë evakuuar dhe po sistemohen përkohësisht në palestra sportive dhe konvikte të qytetit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i pranishëm në terren për të ndjekur operacionet e shuarjes së zjarreve, deklaroi se janë marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë dhe ndihmën e nevojshme për të prekurit. Në ndërhyrje janë angazhuar forcat vendore dhe trupat e ushtrisë, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll vatrat.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri të ditur se në rang vendi janë proceduar mbi 150 persona dhe janë arrestuar 22 të tjerë për zjarrvënie të qëllimshme.
Ai shtoi se nga verifikimet e deritanishme nuk ka persona të zhdukur dhe të gjithë banorët që ndodheshin pranë zonave të rrezikuara janë evakuuar në kohë.