Sot u dha lamtumira e fundit për Artan Lamen, studiuesin, koleksionistin dhe shtetarin e njohur, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në Gjermani pas një ndërhyrjeje në zemër. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e përcollën me nderime, karafila të bardhë dhe duartrokitje, duke kujtuar një njeri që jetoi me pasion për Shqipërinë dhe historinë e saj.
Arkëmorti i Lames ishte mbuluar me një flamur të vitit 1924, një nga zbulimet e tij më të fundit si koleksionist – simbolikë e përshtatshme për një njeri që i kushtoi jetën kërkimit dhe ruajtjes së simboleve kombëtare. Sipas dëshirës së familjes, ai u mbajt nga miqtë e tij më të afërt në këtë rrugëtim të fundit.
Në ceremoninë lamtumirëse, u ndanë fjalë të ngrohta dhe kujtime të çmuara. Artan Shkreli, një nga miqtë e tij më të afërt, e përkujtoi me emocione, duke sjellë në vëmendje bisedat, debatet dhe ndjeshmërinë e thellë që Lame kishte për vendin.
Lame ishte një figurë shumëdimensionale – nga studiues dhe publicist, te drejtues institucionesh si Aluizni, Kadastra, Ministria e Kulturës, apo Forumi për Trashëgiminë. Ai njihej për përkushtimin në mbrojtjen e zonave historike të qyteteve shqiptare dhe për ndihmesën e jashtëzakonshme në ruajtjen e identitetit kulturor dhe arkitekturor të vendit.
Shumë e kujtojnë për stilin e veçantë, humorin fin dhe dashurinë për detajet historike – që nga uniformat dhe medaljet, deri te flamujt, stemat dhe dokumentet e rralla. Ishte një qëmtues i kujdesshëm i historisë në arkiva, por edhe në rrëfimet e njerëzve, një zë i palodhur në mbrojtje të trashëgimisë kombëtare.
Lame kishte një amanet të fundit: krijimi i një muzeu që të ruajë koleksionin e tij. Miqtë e tij premtuan që ky amanet nuk do të harrohet.
Siç u tha sot, nëse Lame iku i mënjanuar apo me pengje, veprat e tij dhe amanetet që la pas janë dëshmi që ai foli, shkroi dhe veproi gjithmonë për një Shqipëri më të kujdesshme ndaj vetes. Në postimet e tij të gjata, në tonin e tij të drejtpërdrejtë, në një karrige të vjetër të Vrana Kontit, mbetet kujtimi i një shqiptari që nuk reshti kurrë së kujtuari se nga vijmë.