Aktualitet

81 vite "Trëndafili i Çamërisë", përkujtohen të flijuarit dhe të mbijetuarit e gjenocidit ndaj shqiptarëve

Shkruar nga Liberale

81 vite "Trëndafili i Çamërisë",

Si çdo 27 qershor, përfaqësues të komunitetit çam, të ardhur nga vende të ndryshme të vendit dhe nga diaspora, u takuan për pelegrinazh në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, të quajtura “Trëndafili i Çamërisë”.

Kontakti i parë ka nisur nga rikujtimi emër për emër i atyre që dhanë jetën gjatë dëbimit masiv të ushtruar mbi popullsinë çame. Qindra emra të jetëve të humbura gjenden të gdhendur në murin e Varrezave Monumentale.

90-vjeçari Fadil Nuriu tregon skena rrëqethëse, të ngulitura në kujtesën e tij prej fëmije atëherë vetëm 9 vjeç.

[Napoleon] Zerva në Greqi, ditën e parë tha që të gjithë shqiptarët këtu të hapin dyqanet dhe të punojnë deri në orën 12:00. Pastaj dha urdhër: ç’kapni burra, i ther,i si keca. Pak më lart takoi myftiun e Çamërisë dhe më tej Xhevitin, djalin e tij. Ishte te furra e bukës. Ushtari grek e kapi dhe e tërhoqi. E therën me thikë, e zhdukën,” kujtoi z. Nuriu.

Konstelacioni “I Love Çamëria” është si një nënshkrim dhe përbetim përpara të flijuarve dhe të mbijetuarve të gjenocidit mbi Çamërinë. Gjithçka u organizua nën sipërmarrjen dhe kujdesin e posaçëm të Bashkisë së Konispolit dhe kryetarit të saj, Erges Dule.

Bashkia Konispol është institucioni i të gjithëve ju, jo vetëm skaji më jugor i Shqipërisë, por institucioni që përfaqëson kulturën, dijen, dialektin e gjuhës sonë, për të ruajtur ekuilibrat, kulturën e për ta trashëguar atë brez pas brezi,” u shpreh z. Dule.

Alket Veliu, kryetar i Fondacionit “Hasan Tahsini”, tregoi për të veçantat e pelegrinazhit të sivjetëm. Zgjidhjen e çështjes çame ai e sheh të pandarë nga detyrat për sensibilizim dhe dokumentim të gjenocidit nga Shoqatat dhe Fondacioni, por sidomos nga angazhimi i strukturave shtetërore, historianëve e deri tek të mbijetuarit nga ajo kohë.

Ish-deputeti Dashamir Tahiri tha se çështja çame është e tillë që do zgjidhje diplomatike dhe çamët, tanimë të organizuar, nuk do t’i lënë punët në duar të një njeriu.

Rezoluta për çështjen çame duhet të jetë në çdo tavolinë, në çdo lloj bisedimi që bën shteti shqiptar me shtetin grek. Është një çështje shumë e vështirë që do kohën dhe zgjidhjen e saj, një zgjidhje diplomatike. Ne do të rimblidhemi më mirë. Nuk i lëmë më gjerat në dorë të një njeriu. Ai njeri ka zaptuar si shoqatën, si partinë,” tha për mediet z. Tahiri, duke iu referuar ish-kryetarit të partisë së tij, Shpëtim Idrizi.

Për herë të parë Ardit Bido ishte në këtë pelegrinazh si deputet i zgjedhur:

Shqiptarët e Çamërisë humbën jetën 81 vite më parë. U dëbuan nga trevat e tyre amtare. U zhduk një pjesë e historisë së tyre në Çamëri vetëm për një arsye: pse ishin shqiptarë. Ne e kemi për detyrë që t’i përkujtojmë këto viktima të pafajshme, sepse secili prej nesh mund të ishte në vend të tyre në atë kohë nga forcat zerviste,” tha deputeti i zgjedhur.

Pranë kompleksit skulpturor të Varrezave Monumentale të Kllogjerit, u vendosën kurora me lule nga autoritetet, si dhe buqeta me trëndafila e karafila nga të pranishmit.

Programi i pelegrinazhit në kuadër të 81-vjetorit të gjenocidit mbi popullsinë çame u mbyll me një manifestim paqësor në mbrëmjen e ditës së djeshme, kur në afërsi të pikëkalimit kufitar të Qafëbotës u manifestua me pankartën e kërkimit të të drejtave të çamëve, duke lëshuar në ajër 81 balona me flakë qiriri në simbol të 81 viteve që nga ushtrimi i gjenocidit grek mbi popullsinë çame.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH