Problemet me sigurinë ushqimore në vend janë rikthyer në vëmendje pas ngjarjes së fundit në Gramsh, ku disa fëmijë të një kopshti u infektuan nga salmonela. Ky nuk është rasti i parë i tillë, dhe për ekspertët është tregues i një problemi më të thellë mungesa e kontrollit të duhur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).
Sipas ekspertes së sigurisë ushqimore, Esmeralda Ballesha, AKU vazhdon punën me një plan të miratuar në fillim të vitit, por ai duhet përmirësuar. “Duhet një vlerësim më i mirë i riskut, më shumë inspektime dhe më shumë komunikim me qytetarët. Fatkeqësisht, konsumatorët denoncojnë më lehtë në media sesa te AKU,” tha ajo.
Ngjarja në Gramsh është aktualisht nën hetim nga prokuroria, ndërkohë që Kodi Penal parashikon dënime deri në 3 vite burg për këdo që importon apo shet ushqime që rrezikojnë shëndetin e njerëzve. Ekspertët theksojnë se mbajtja përgjegjëse e shkelësve është e domosdoshme për të garantuar sigurinë ushqimore, sidomos në kohën kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në këtë drejtim, situata nuk duket pozitive. “Kapitulli 12 i negociatave me BE-në, që ka të bëjë me sigurinë ushqimore, ka bërë shumë pak progres. Ne kemi nevojë për investime serioze në laboratorë, në pika kufitare, në monitorim dhe në bizneset që shpërndajnë apo tregtojnë ushqime,” shton Ballesha.
Pikat kufitare, sipas saj, duhet të kenë patjetër përfaqësues të AKU-së për të mos lejuar hyrjen e produkteve pa certifikim. Po ashtu, duhet garantuar që analizat laboratorike të bëhen shpejt dhe në bashkëpunim me laboratorë të huaj për të ndihmuar në gjurmimin dhe largimin nga tregu të produkteve të rrezikshme.
Ndërkohë, në prill, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaroi se AKU do të bashkohet me disa institucione të tjera si pjesë e një reforme të madhe. Sipas AKU-së, ata kanë dhënë mendimin për këtë propozim dhe janë në pritje të përgjigjes zyrtare nga Ministria.