Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka u paraqit këtë të premte në SPAK.
Deputeti mbërriti në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 10:20 dhe doli pas gati 1 ore. Pas daljes nga ambientet e SPAK, ai u shpreh se është thirrur për denoncimet që ka bërë lidhur me krimet zgjedhore.
“Krimi elektoral është ai që sot ka vendosur mbi fatin e votës së shqiptarëve. Janë dhjetëra raste kallëzimesh dhe referimesh që PD dhe opozita ka paraqitur në SPAK, duke nisur që nga Durrësi, Vora, Elbasani, Shkodra, Fieri, Vlora dhe gjithë Shqipëria. Ne nuk kemi organ hetimor, organi hetimor presupozohet të ishte ky këtu mbrapa.
Sot isha për një sërë kallëzimesh që lidhen vetëm me krimet zgjedhore. Konstatova që task forca për krimet zgjedhore kishte vdekur ditën që u krijua. Ne jemi PD, jemi forcë demokratike, transparente. Çdo gjë e kemi vendosur në dispozicion, s’kemi gjë për të fshehur, është ligjore.”- tha Noka.