E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Ermela Shllaku. Ajo ka folur më shumë për problemet e adoleshentëve sot, shëndetin mendor, por dhe për prindërimin…
Po brezi i prindërimit sot sa probleme ka?
Është shumë e thjeshtë të gjykosh prindërimin. Unë gjithmonë e them që nuk ka prindër perfekt, por nuk ka prindër që bëjnë vetëm gabime. Kam përshtypjen që asnjë prind nuk dëshiron që fëmija i tij të dështojë dhe të mos ketë një sjellje komfort rregullave dhe moshës. Unë do t’i mëshoja faktit që prindërit shqiptarë nuk i vënë shumë rëndësi shëndetit mendor. Thënë kjo nga të gjitha rastet që na vijnë dhe nga problemet që ne hasim. Mendoj që hapi i parë që një adoleshent vjen tek psikologu, është kur e sjell prindi, duke biseduar me të, ndryshe kur e sjell prindi me zor. Është një diferencë shumë e madhe.
Në rastin kur kemi të bëjmë me adoleshentë që prindi është dakord, që prindi e di gjendjen dhe situatën e adoleshentit, është ‘ok’ që të bashkëpunojë me psikolohun, situata shkon më mirë dhe e kemi pak më të thjeshtë për të përmirësuar diçka. Por në rastin kur prindërit janë mohues dhe thonë që fëmija i tyre nuk ka asnjë problem por është shoqëria, pra përpiqen të gjejnë fajtorët kudo tjetër përveç vetes së tyre. Ne duhet ta pranojmë që të rritësh një fëmijë nuk është e thjeshtë, nuk ka se si të jetë e thjeshtë, sepse ti po rrit një individ që është ndryshe nga ty. Unë gjithmonë e them që fatkeqësisht prindërit shqiptarë, familjet shqiptare, i shohin fëmijët si shtojcë të tyre, një vazhdim i tyre dhe shumë pak e trajtojnë fëmijën si një individ më vete.
Ne priremi që fëmijët tanë të kenë karakteristikat tona, të kenë ndjenjat tona, mendimet tona, por në fakt nuk duhet të jetë kështu, sepse jemi të ndryshëm. Dhe duke dashur që t’i indoktrinojmë dhe t’i nxisim mendimet tona, kemi një përplasje midis brezave që më pas bëhet akoma më e vështirë dhe nuk kuptohemi. As adoleshentët nuk na kuptojnë dot ne, as ne nuk mundemi t’i kuptojmë ata. Është shumë ‘ok’ që prindi nuk mundet ta kuptojë botën e brendshme të adoleshentit sepse jetojmë në një gjeneratë që është vazhdimisht në ndryshim, vazhdimisht me gjëra të reja që ne nuk mund ta gjejmë ndoshta veten, por do ishte disi e pafalshme nëse prindi nuk e dëgjon fëmijën. Ka shumë rëndësi mënyra si ti gjendesh aty, qasja që ti ke me fëmijën. Do doja shumë që prindërit shqiptarë të mos e trajtonin adoleshentin si problem. Faza e adoleshencës është një cikël që të gjithë e kanë bërë dhe të gjithë do ta bëjmë. Është një cikël natyral dhe ne nuk mund ta shmangim. /TAR/