Një tjetër grup emigrantësh është transferuar nga Italia në Shqipëri si pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm. Të martën në mëngjes, anija e Marinës italiane “Spica” u nis nga porti i Brindisit drejt qendrës së riatdhesimit në Gjadër, duke transportuar rreth 30 emigrantë të kombësive të ndryshme.
Ky është transferimi i katërt i tillë dhe vjen pas atij të fundit më 11 prill. Aktualisht, objekti në Gjadër strehon rreth 50 persona, ndërsa 30 emigrantë janë riatdhesuar tashmë, sipas Ministrisë së Brendshme italiane.
Kjo çështje është nën vëzhgimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila pritet të japë një vendim së shpejti pas apelimeve të bëra nga Gjykata e Romës. Kjo e fundit ka shfaqur dyshime mbi ligjshmërinë e ndalimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të dërguar në Shqipëri, sidomos kur ata vijnë nga vende të konsideruara “të sigurta” nga Italia, si Egjipti dhe Bangladeshi.
Ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për persona që ndodhen në Itali thjesht për arsye administrative, por për individë që kanë kryer krime të rënda. “Nuk po transferojmë njerëz të pafajshëm. Këta janë persona që kanë përfunduar dënimin për vepra të rënda si përdhunim apo pornografi me fëmijë,” tha ai.