Gjuha shqipe është shpallur zyrtarisht si një nga gjuhët që do të përdoret në komunikimet shkollore nga Departamenti i Arsimit në Qytetin e Nju Jorkut. Lajmi u bë i ditur më 18 qershor nga kancelarja e Arsimit, Melissa Aviles-Ramos.
Ky është një hap i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në SHBA, pasi nga rreth 180 gjuhë që fliten në Nju Jork, deri më tani vetëm 10 prej tyre janë përfshirë në komunikimet zyrtare të shkollave publike.
Tani e tutje, çdo dokument, njoftim apo informacion i rëndësishëm që shkollat i dërgojnë prindërve, do të jetë i përkthyer edhe në shqip. Kjo do të lehtësojë ndjeshëm përfshirjen e prindërve shqiptarë në jetën shkollore të fëmijëve të tyre, duke kapërcyer barrierat gjuhësore që për vite me radhë i kanë penguar ata të ndjekin nga afër procesin arsimor.
Kjo nismë ndihmon jo vetëm prindërit, por edhe vetë nxënësit, të cilët tashmë do të ndihen më të përfaqësuar dhe të përfshirë, gjë që ndikon pozitivisht si në arsimimin akademik, ashtu edhe në zhvillimin emocional.