Një 50-vjeçar nga fshati Fshat i Klosit është proceduar penalisht nga Policia e Matit për një sërë shkeljesh të rënda ligjore, mes tyre edhe dëmtimin e një monumenti kulture.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi F. S., 50 vjeç, dyshohet se ka kryer ndërhyrje të paautorizuara në zonën ku ndodhet monumenti historik “Ura e Vashës”. Veprimet përfshijnë gërmime, spostim inertesh dhe ndërtim të një objekti pa leje, duke shkelur kështu dispozitat ligjore që mbrojnë trashëgiminë kulturore.
Policia njofton se ndaj tij rëndojnë akuzat për tre vepra penale: “Shkatërrimi i veprave kulturore”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.
“Ura e Vashës” është një nga monumentet historike më të njohura në zonën e Klosit dhe konsiderohet pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë kulturore e arkitekturore. Ndërhyrjet e paligjshme në këtë vend nuk vetëm që dëmtojnë historinë, por janë të dënueshme me ligj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për veprime të mëtejshme hetimore. Autoritetet kanë bërë apel për respektimin e zonave të mbrojtura dhe ndalimin e çdo ndërtimi pa leje në to.