Një aksident tragjik ka ndodhur në minierën e Kromit në Katjel, ku ka humbur jetën 58-vjeçari Sajmir Bego. Miniera administrohet nga Gëzim Balla, i cili është shprehur i tronditur dhe shumë i trishtuar për këtë ngjarje.
Sipas Ballës, miniera nuk ishte në gjendje pune gjatë ditëve të fundit, pasi po bëheshin përgatitje për të rifilluar nxjerrjen e mineralit në kushte më të mira.
“Sot në mesditë gjithçka ishte gati për të rifilluar punën. Drejtuesi teknik, Hysni Kllogjri, kishte inspektuar kushtet e sigurisë dhe kishte trajnuar minatorët përpara nisjes së punës, duke u kujtuar rregullat e sigurisë. Siguria e minatorëve është prioritet për ne,” tha Balla.
Ai shtoi se në mesditë është informuar nga përgjegjësi i turnit, Gëzim Kllogjri, për aksidentin tragjik. “Jam shumë i tronditur. Paraprakisht më është thënë se ka pasur një shembje nga tavani i galerisë dhe një gur e ka goditur në kokë minatorin 58-vjeçar, duke i shkaktuar vdekjen,” përfundoi Balla.