Një sherr i dhunshëm ka ndodhur sot në zonën e Lungomares në Vlorë, ku disa persona janë përfshirë në përplasje fizike. Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, duken disa të rinj që godasin njëri-tjetrin, ndërsa dy prej tyre rrëzohen në tokë. Një tjetër person, i armatosur me një mjet pune, tenton të ndërhyjë, por bie në gjunjë sapo afrohet.
Mësohet se nuk ka ende informacione zyrtare nëse ka të lënduar nga kjo përplasje. Ngjarja vjen pak orë pas një incidenti të ngjashëm në Berat, ku një punonjës i policisë bashkiake u përfshi në një sherr me një qytetar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e rendit publik në këto zona.