Për të dytën herë radhazi avokatët kanë braktisur sallën e gjyqit në shqyrtimin e dosjes “Plumbi i artë”, duke u bërë shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës.
Të martën salla u braktis nga avokatja Elda Zotaj, mbrojtëse e të pandehurit Klevis Ndoci.
Zotaj u largua nga salla, pak çaste pasi bëri kërkesë për përjashtimin nga procesi të kryesueses Engjëllushe Tahiraj, më pretendimin se është treguar e njëanshme në gjykim dhe intimiduese ndaj avokatëve.
Si pasojë, Skerdi Tase, i cili ishte pozicionuar në karrigen e dëshmitarit nuk u pyet nga SPAK.
Më herët, në seancën që zgjati 2 orë dhe u shoqërua me debate të forta mes palëve, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për t’ju vënë në dispozicion marrëveshjen e bashkëpunimit mes SPAK dhe të penduarit Endrit Alibej, si edhe procesverbalet e deklarimeve të dhëna nga Alibej në vitin 2022, para së të nënshkruante marrëveshje bashkëpunimi me SPAK.
Seanca e kaluar e këtij procesi u ndërpre pas largimit demostrativ nga salla të 4 avokatëve, që më pas u gjobitën nga gjykata.