Policia e Sarandës, në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH), ka nisur një operacion për kapjen e dy vëllezërve të dyshuar si autorë të një plagosjeje të ndodhur së fundmi në qytet.
Të dyshuarit janë identifikuar si Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe vëllai i tij Erjon Canaj, 35 vjeç.
Sipas burimeve policore, Ramadan Zoto/Canaj konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Ai ka precedentë penalë në Greqi, ku është dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe është përfshirë në shkëmbim zjarri me policinë greke. Aktualisht, ai ndodhej nën proces gjyqësor në Gjykatën e Sarandës për akuzën “goditje për shkak të detyrës”.
Ndërkohë, vëllai i tij, Erjon Canaj, rezulton i përfshirë më parë në disa ngjarje me natyrë kriminale. Në dhjetor 2022 ka ushtruar dhunë ndaj rojës së Spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 u arrestua pasi iu gjetën dy armë zjarri në banesë. Pavarësisht kësaj, ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës disa muaj më vonë.
Operacioni për kapjen e tyre vijon, ndërsa Policia ka shtuar kontrollet në disa zona brenda dhe jashtë qytetit. Hetimet për rastin po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Sarandë.