Një vjedhje u parandalua në kohë nga Policia e Kurbinit, në qytetin e Mamurrasit. Ngjarja ndodhi në një dyqan ushqimor, ku një 36-vjeçar i maskuar dhe me kapuç tentoi të hynte për të vjedhur.
Policia u njoftua menjëherë nga qytetarët dhe falë ndërhyrjes së shpejtë, efektivët arritën ta kapin autorin në flagrancë, brenda dyqanit. Ai mbante në dorë një çekiç, me të cilin kishte thyer xhamin e derës për të hyrë brenda.
Autori u identifikua si A.M., 36 vjeç, banues në Mamurras, i cili tashmë është arrestuar dhe akuzohet për tri vepra penale: vjedhje e mbetur në tentativë, sigurim i kushteve për vjedhje dhe shkatërrim prone.
Policia ka dorëzuar materialet në Prokurorinë e Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.