Në zonën e Mëzezit në Tiranë po ndërtohet një institucion i ri dhe i veçantë për të miturit në konflikt me ligjin. Kjo qendër, e cila do të quhet Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, është e para në rajonin tonë dhe e dyta në gjithë Europën, pas Francës.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vizitoi sot kantierin e ndërtimit dhe theksoi se ky institucion do të funksionojë sipas modelit francez. Ai u shpreh se qëllimi i qendrës nuk është ndëshkimi, por edukimi dhe integrimi i të rinjve.
“Të miturit që do të qëndrojnë në këtë institucion do të kenë mundësi të ndjekin shkollën si gjithë bashkëmoshatarët e tyre, do të pajisen me diploma dhe do të përgatiten për një jetë më të mirë jashtë saj”, tha Manja.
Ai theksoi se si godina, ashtu edhe mjedisi përreth janë menduar që të jenë të përshtatshëm për një proces të vërtetë rehabilitimi, larg imazhit të një burgu klasik.
Ky projekt është një hap i madh drejt një sistemi më të drejtë dhe më njerëzor për të miturit që kanë gabuar, por që meritojnë një shans të dytë.