Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar një pasuri të paluajtshme që lidhet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Pasuria ndodhet në zonën e “Kodrës së Diellit”, në Tiranë.
Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa dyshohet se kanë interesa pasurore të fshehura mbi dy prona, njëra prej të cilave është një shtesë ndërtimi, pranë apartamentit ku aktualisht jetojnë në rezidencën “Kodra e Diellit”.
Hetimet janë pjesë e një procedimi penal të nisur në vitin 2024, ku përfshihen disa vepra të rënda penale si korrupsion pasiv dhe aktiv i zyrtarëve të lartë, pastrim parash, fshehje pasurie, deklarime të rreme dhe pengim të zbardhjes së së vërtetës.
Pas analizimit të provave, SPAK arriti në përfundimin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Veliaj dhe Xoxa kanë konsumuar elementë të veprës penale të “fshehjes së pasurisë”, dhe për këtë arsye janë regjistruar si persona nën hetim më datë 20 maj 2025.
Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën për sekuestrimin preventiv të pasurisë në fjalë, që është regjistruar në emër të një subjekti tregtar, por që sipas hetimeve lidhet faktikisht me çiftin Veliaj-Xoxa. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.