Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Të paktën 200 milionë euro të ardhura në buxhet, pse duhet legalizuar kanabisi?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Të paktën 200 milionë euro të ardhura

Aranit Muraçi

Në një studim të vitit 2022, më shumë se gjysma (55%) e njerëzve në tetë vende evropiane thanë se ishin në favor të legalizimit të kanabisit, sipas konsulencës strategjike me qendër në Londër, Hanway Associates.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur sot vendimin e marrë në mbledhjen e qeverisë ku shprehet se së shpejti do të ngrihet Agjencia kombëtare për kontrollin e kanabisit.

Sipas ministres aspektet kryesore lidhen me rregullatorë, nga momenti i kultivimit dhe eksporti i sigurt e i kontrolluar. Vendimi për të hartuar dhe miratuar projektligjin për kanabisin, për qëllime mjekësore dhe industriale erdhi sipas qeverisë nga këshillimi kombëtar. Ministrja Manasterliu u shpreh se 61% e qytetarëve ishin pro legalizimit të kanabisit.  Pas kalimit të draftit, Kuvendi pritet të votojë pro legaliizmit të kanabisit edhe në Shqipëri.

Pse duhet lejuar kanabisi në Shqipëri?

Shqipëria konsiderohet një ndër vendet kryesore të Europës, që e kultivon dhe trafikon në rrugë të paligjshme kanabisin. Kjo do të thotë se nga ky trafik, buxheti i shtetit nuk fiton asgjë. Ata të cilët merren me aktivitet kriminal, me të ardhurat që sigurojnë, kur investojnë, prishin konkurrencën e lirë. Kështu, nëse drafti përputhet me atë të BE-së, lejimi i tij, pritet t’i sjellë Shqipërisë të ardhura nga eksporti të paktën po aq sa i sjell dhe Maqedonisë së Veriut, rreth 200 milionë euro në vit.

Megjithatë, sfidë për qeveritë në Europë dhe mbarë botën më tepër sesa vendimi për legalizimin e marijuanës, ka qenë dhe mbetet zbatimi i rregullave që procesi të japë efektet e dëshiruara.

Cilat forma të rregullimit të tregut të kanabisit janë në shqyrtim në Evropë? Cilat lloje të kanabisit kontrollohen? A janë të ligjshme produktet kozmetike dhe të shëndetit që përmbajnë kanabis? Këto janë ndër pyetjet që u është dhënë përgjigje në një raport të publikuar nga agjencia e BE-së për drogat (EMCDDA) . Raporti - Ligjet e kanabisit në Evropë: pyetje dhe përgjigje për politikëbërjen — trajton çështjet kyçe mbi pyetjet e bëra shpesh rreth legjislacionit të kanabisit në Evropë.

Holanda në përgjithësi, dhe Amsterdami në veçanti, e kanë toleruar shitjen dhe përdorimin e kanabisit në kafenetë e tyre ikonike që nga viti 1976, por kultivimi i kësaj bime mbetet i paligjshëm.

Shpejtësia dhe shtrirja e ndryshimit të politikave të kanabisit dhe ndikimi i mundshëm i këtyre ndryshimeve në shëndetin dhe sigurinë publike, janë ndër faktorët që e shtynë EMCDDA të publikojë raportin. Fokusi kryesor i raportit është përdorimi rekreativ i kanabisit dhe zhvillimet e vazhdueshme në këtë fushë.

Raporti përshkruan disa nga ndryshimet e fundit mbi politikën e kanabisit në Evropë. Gjatë 20 viteve të fundit, tendenca e përgjithshme në ligjet kombëtare në Evropë ka qenë zvogëlimi, apo edhe heqja e dënimeve me burg për shkeljet e vogla të posedimit të kanabisit. Pesë shtete anëtare të BE-së (Çekia, Gjermania, Luksemburgu, Malta dhe Holanda) dhe Zvicra po planifikojnë të prezantojnë qasje të reja për të rregulluar furnizimin me kanabis për përdorim rekreativ. Këto zhvillime shpesh duket se janë të lidhura nga qasjet e politikave të krijuara aktualisht në Uruguai, ose pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Komplikimi i një peizazhi tashmë sfidues të politikave është fakti që produktet e kanabisit po bëhen gjithnjë e më të larmishme, duke përfshirë ekstraktet dhe ushqimet (përmbajtje të lartë THC) dhe produktet CBD (përmbajtje me THC të ulët). Raporti përshkruan se si zhvillimet nuk po ndodhin vetëm në fushën e kanabisit si një drogë rekreative, por po shtrihen edhe në rregullimin e kanabisit dhe kanabinoideve për përdorime industriale, terapeutike, ushqimore ose kozmetike.

Në dhjetor 2020, pas një rekomandimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH),  Komisioni i OKB-së për Drogat Narkotike votoi për riklasifikimin e kanabisit sipas ligjit ndërkombëtar.

Republika Çeke është ndër vendet evropiane, që kanë njoftuar muajt e fundit plane për legalizimin e kanabisit.  Praga tha se po harton një projekt-ligj për legalizimin e drogës për përdorim të të rriturve, duke shënuar një hap akoma edhe më dramatik që nga ligji që e lejon për posedimi personal, i miratuar në vitin 2010. Ajo pasoi Gjermaninë, e cila në tetor publikoi propozime për konsumin dhe shitjen e kanabisit – një plan që, nëse miratohet, do ta bënte atë tregun më të madh të rregulluar kombëtar të marihuanës në botë.

Diku tjetër, Luksemburgu ka miratuar një ligj që lejon banorët të kultivojnë marijuanë për përdorim personal; Malta ka “klube të kanabisit” private; dhe Zvicra, një vend jo anëtar i BE-së, ka miratuar pjesërisht dhe po teston shitje dhe konsumin e drogës në Cyrih.

Edhe Holanda – ku rritja dhe shitja e kanabisit është  kriminalizuar teknikisht edhe pse tolerohet – planifikon të nisë një program pilot për të testuar shitjen legale të drogës deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, shumë qeveri kanë dështuar për të hartuar një projektligj që i përmbahet ligjeve të BE-së, traktateve ndërkombëtare të drogës dhe shqetësimeve të shëndetit publik.

Megjithëse marihuana është e lejuar për qëllime mjekësore në një numër shtetesh evropian. Kritikët thonë se legalizimi në një shtet mund të ketë efekte negative për vendet fqinje, që kundërshtojnë lëvizje të tilla. Komisioni Evropian, ekzekutivi i Bashkimit Evropian, thotë se nuk mund të komentojë mbi diskutimet deh debatet specifike kombëtare, por shtoi se po ndiqte nga afër zhvillimet.

Rregullorja e BE-së kërkon që shtetet anëtare të sigurojnë që  shitja e drogave të paligjshme, duke përfshirë kanabisin, të “dënohet me dënime penale efektive, proporcionale dhe bindëse”, por nuk kufizon konsumin personal. Legalizimi tregtar është gjithashtu i papajtueshëm me traktatet ndërkombëtare, përfshirë  konventën e vetme të OKB-së të vitit 1961 për drogat narkotike, megjithëse vende si Kanadaja dhe Uruguai nuk janë përballur me pasoja serioze që nga momenti i vendimit për lejimin e drogës.

Si rezultat i reagimeve të BE-së, Gjermania muajin e kaluar hodhi poshtë planin e saj të gjerë të legalizimit, me Ministrin e Shëndetësisë Karl Lauterbach që vuri në dukje se propozimi i tij fillestar kishte “dështuar” dhe rishikimi do të duhej “të shkonte në rrugë të reja”.

Legjislacioni i përditësuar synon të lejojë konsumin privat dhe një projekt pilot për të testuar shitjen e drogës në një grup të vogël dyqanesh të licencuara. Megjithatë, pengesa të tilla nuk po i pengojnë përkrahësit, të cilët këmbëngulin se legalizimi do të përmirësojë masat mbrojtëse brenda industrisë, do të ndihmojë mbrojtjen e të rinjve si dhe do të ndikojë në luftën e trafikut të paligjshëm të drogës.

“Ka shumë vende që shohin se politikat e ndalimit kanë dështuar,” tha Dirk Heitepriem, nënkryetar i Shoqatës Gjermane të Industrisë së Biznesit të Kanabisit.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH