Ilir Alimehmeti, një nga figurat e reja në skenën politike të Partisë Demokratike, ka bërë një analizë të fortë dhe të sinqertë mbi gjendjen aktuale të kësaj force politike, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë”. Ai theksoi se Partia Demokratike vuan nga mungesa e hapjes dhe e meritokracisë, dhe se premtimet për një fillim të ri që u dhanë përmes lëvizjes “Foltore” nuk u mbajtën.
“Ky fresh start nuk ndodhi,” deklaroi Alimehmeti, duke iu referuar pritshmërive që u krijuan në vitin 2022 me premtimin për një rithemelim të PD-së. “Nuk ka gjë më të keqe se t’i ngresh dikujt pritshmëritë dhe pastaj t’i anulosh. Është një emocion shumë i fortë, që çon në zhgënjim të thellë.”
Ai kujtoi protestën e 7 korrikut 2022, të cilën e cilësoi si një nga më të mëdhatë në dekada, si dëshmi e mbështetjes së qytetarëve për një opozitë të hapur dhe të bazuar në vlera. Por, sipas tij, kjo mbështetje nuk u kapitalizua siç duhet, pikërisht sepse nuk u garantuan hapja dhe përfshirja reale.
Alimehmeti kërkoi një "ribërje" të PD-së, duke nisur me vetëreflektim, ndërtimin e një ekipi fitues dhe ndalimin e përçarjeve të brendshme që, sipas tij, i shërbejnë vetëm palës tjetër.
“Nuk e optimizojmë dot situatën në këtë lloj mënyre. E optimizojmë nëse kuptojmë se kemi përballë një të keqe më të madhe. Të harrojmë grindjet e vogla dhe të fokusohemi te ndërtimi i alternativës,”tha ai.
Sipas Alimehmetit, Partia Demokratike ka nevojë për një proces të mirëfilltë hapjeje dhe përfshirjeje të figurave të reja, të afta, me integritet dhe kontribut real. Ai nënvizoi se nuk mjafton vetëm të kesh një histori politike apo kontribute, nëse nuk shoqërohet me produkt konkret dhe përfaqësim efikas në zgjedhje.
“Kontributi është i pamohueshëm, por pa produktivitet nuk të çon askund. Shkojmë në garë vetëm për të humbur. Ne kemi nevojë për një ekip që të japë shpresë për fitore.”
Në mesazhin e tij drejtuar strukturave të PD-së, Alimehmeti theksoi se forca politike duhet të mësojë të dëgjojë kërkesat e anëtarësisë dhe të veprojë në përputhje me to.
“Ka dy rrugë: ose të dëgjosh njerëzit e tu dhe të rritesh, ose të mos i dëgjosh dhe të rudhesh.”
Ai u shpreh gjithashtu kritik ndaj tendencës për të shmangur përgjegjësitë pas humbjeve zgjedhore, duke theksuar se pavarësisht përgjegjësisë kryesore që i takon PS-së, edhe PD duhet të reflektojë për rolin e saj.
“Të tregosh se ekziston si forcë politike do të thotë të pranosh gabimin dhe të veprosh. Të tregosh se si do ta zgjidhësh, si do t’i thërrasësh njerëzit pranë teje, me cilën formulë.”
Në përmbyllje, Alimehmeti i bëri thirrje PD-së që të mos humbasë më kohë në ndasi të brendshme, por të ndërtojë me seriozitet dhe transparencë një “restart” të vërtetë, i cili të bazohet mbi hapjen reale, meritokracinë dhe përfshirjen e atyre që kanë vërtet çfarë të japin. Vetëm kështu, sipas tij, e djathta mund të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të bëhet një alternativë e besueshme për qeverisjen e vendit.