Një vatër e fuqishme zjarri ka dalë jashtë kontrollit në fshatin bregdetar të Piqerasit, duke shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve dhe operatorëve turistikë në zonë. Flakët janë përhapur me shpejtësi në zonën kodrinore dhe ndodhen vetëm rreth 150 metra larg banesave dhe strukturave turistike që funksionojnë gjatë sezonit veror.
Edhe pse deri tani nuk raportohet për banesa të prekura nga zjarri, rreziku është në rritje për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta që favorizojnë përhapjen e flakëve. Situata konsiderohet alarmante, ndërsa çdo minutë është vendimtare për shmangien e një fatkeqësie të mundshme.
Ndërhyrja nga toka po has në vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës rrugore të përshtatshme. Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës janë vënë në lëvizje, ndërsa banorët i bëjnë thirrje shtetit për ndihmë të menjëhershme, përfshirë edhe ndërhyrjen nga ajri.