Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet të vizitojë sot Vlorën, pas ftesës së marrë nga homologu i saj shqiptar, Edi Rama. Raportohet se Meloni është nisur nga Brindisi me një traget të linjës.
Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar dhe listën e pasagjerëve, ku shihet emri i shefes së qeverisë italiane mes pasagjerëve të zakonshëm. Ajo pritet të mbërrijë në Vlorë në orën 17:00.
Mediat italiane shkruajnë se Meloni do të jetë në Shqipëri bashkë me bashkëshortin e saj Andrea Giambruno, vajzën e saj Ginevra dhe ndoshta edhe me motrën e saj Arianna dhe bashkëshortin e saj ministër, Francesco Lollobrigida. Në axhendë është planifikuar edhe një vizitë private me kryeministin Rama në rezidencën qeveritare.
Meloni është nisur mëngjesin e sotëm për në Vlorë me tragetin “Prince” në pronësi të një kompanie shqiptare dhe i shoqëruar nga një grup i vogël miqsh dhe bashkëpunëtorësh. Ajo do të qëndrojë 2-3 ditë në Shqipëri.
Ditët e fundit mediat italiane kanë treguar interes të lartë për mendimin e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me Kryeministrin e Italisë, Giorgia Meloni, sipas të cilit ajo është trashëgimtare e një tigri, jo e një rinoceronti. Në intervistën për gazetën e përditshme italiane “Libero”, sërish Rama përcolli vlerësimin e tij dhe surprizën përballë të cilës u gjendën dhe vetë liderët europianë.
”Në skenën ndërkombëtare, Giorgia i ka surprizuar të gjithë, e do të thosha alla grande, sepse teksa prisnin një përbindësh fashist që do të marshonte mbi Europë, u gjendën përballë një gruaje me aftësi mahnitëse në komunikim si një evropiane e thekur, që deri më tash s’ka thënë asgjë gabim. E djathta, e majtë, fashizmi, socializmi kanë kuptim kur flasim për histori, por kërkimi i sensit të tyre të hershëm në politikën e sotme mund të na ngatërrojë me këmbët tona”, tha Rama.