Viola Shkulaku
Të gjithë ata që shkruajnë e kanë provuar ndjesinë e ulje-ngritjeve emocionale nëpër rreshta, ku shpeshherë janë ndierë sikur shkrimi i tyre është i mrekullueshëm dhe herë të tjera sikur nuk “ua mbush mendjen” fare.
Mbase kjo mund të jetë një arsye pse shumë shkrimtarët, poetët dhe autorët, vendosin një pseudonim në veprën e tyre dhe jo emrin e vërtetë.
Në histori ka pasur shumë autorë të njohur, që kanë shkruar me emra të ndryshëm. Nga George Orwell dhe Lewis Carroll tek Stephen King dhe Agatha Christie. Të gjithë i fshehën emrat e tyre të vërtetë duke vendosur një pseudonim.
Një nga arsyet kryesore që autorët përdorin pseudonime është, se ndonjëherë thjesht duan të kenë pak privatësi.
Për shembull, Elena Ferrante është një pseudonim, dhe as nuk dihet se kush është gruaja që fshihet pas këtij emri.
Në një intervistë për "The Guardian", ajo ka rrëfyer se, pseudonimin nuk e mban vetëm për të mbrojtur privatësinë e saj, por edhe atë të një komuniteti napolitan, nga i cili merr frymëzimin për të shkruar romanet.
“Dëshira për të hequr veten nga të gjitha format e presionit ose detyrimit shoqëror. Të mos ndihesh i lidhur me atë që mund të bëhet imazhi publik i dikujt. Të përqendrohemi ekskluzivisht dhe me liri të plotë në shkrimin dhe strategjitë e tij”, këto ishin sipas saj disa nga arsyet, pse ajo vendosi që të shkruante me pseudonim.
Për të tjerët, arsyeja mund të jetë diçka që lidhet me punën e tyre, ndërsa ata më të rinjtë mbase kanë njëfarë ndrojtje dhe janë kritikë ndaj vetes.
Katër shkrimtarë shqiptarë që përdorën pseudonime
Millosh Gjergj Nikolla i njohur si Migjeni, ka qenë poet dhe prozator i shquar shqiptar, i cili konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të.
Me veprat e tij, ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi me krijime si; "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit" apo “A don qymyr zotni?".
Liriku i madh i letrave shqipe, Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci. Shkroi herët, por poezitë i botoi nga fillimi i viteve '20. Për Zotin Llazar, ashtu sikurse i pëlqente ta thërrisnin, poezia shpreh shpirtin e njeriut dhe është humaniste.
Në një intervistë vajza e tij, Marie Gusho është shprehur se: “Duke lexuar ditaret e tij kam parë se ai gjatë gjithë kohës ka qenë në oponencë me regjimin, sepse një njeri me kulturë nuk mund të mos ishte në oponencë me atë regjim që e urrente kulturën. Lasgushi e dinte dhe e thoshte shpesh: Armiku i komunizmit është njeriu që mendon…”.
Lasgush Poradeci la një krijimtari nga më të këndshmet të poezisë shqiptare; “Poradeci”, “Dremit Liqeni”, “Zemra e Liqenit”, “Mbarim Vjeshte” etj.
Mid'hat bej Frashëri, i cili njihet më së shumti me pseudonimin Lumo Skëndo ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar, i cili ka ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog. Në shkrimet publicistike, Frashëri përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Përveçse njihet për përmbledhjen “Hi dhe shpuzë” dedikuar Naim Frashërit, ai njihet edhe për disa vepra të shkruara në frëngjisht si; “Shqiptarët brenda dhe jashtë vendit” apo “Shqiptarët dhe sllavët” etj.
Ideologu e poligloti Sejfulla Malëshova, i njohur me pseudonimin Lame Kodra njihet si poeti i patriotizmit dhe i luftës. Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, ndërsa shkruante dhe kritikonte cilindo, që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe. Kur ishte student në Romë botoi poemën e tij të parë me pseudonimin Kostandini. /Liberale.al