Gjykata la të hënën në burg Rozeta dhe Havier Dobi, për grabitjen e qindra mijëra eurove dhe aksesorëve me vlerë, pas zbulimit se pastruesja kishte grabitur banesën e Alda Klosit, ish-këshilltare në Kryeministri.
Ndërkohë, janë identifikuar dy persona të tjerë të grabitur nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në banesën e tyre. Shtetasit Leonard Ciko dhe Altin Dine kanë deklaruar në Polici se 49-vjeçarja u ka marrë nga banesat bizhuteri, por jo para.
I pyetur nga “5pyetjet.al” Altin Dine ka thënë se nuk ka bërë denoncim, por është thirrur nga policia dhe aty ka identifikuar dy nga varëset e vjedhura. Më tej ai është shprehur i irrituar që emri i është bërë publik nga komisariati.
"Kjo ka vjedhur ndonjë gjë nga të gjithë. Po çfarë bëhet kështu që komisariati më nxjerr emrin mua? Unë nuk asnjë lidhje. Unë kam dhënë një deklaratë. Unë jam një njeri në punën time. Në biznes privat. Nuk kam lidhje fare me atë. Unë nuk punoj në shtet, nuk kam lidhje fare me atë”, ka deklaruar ai.
Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi u arrestuan dhe u lanë në “arrest me burg” nga gjykata nën akuzën e vjedhjes në banesën e këshilltares së kryeministrit Edi Rama të një shumë prej 120 mijë eurosh. Ndërkohë në banesën e saj u gjetën dhe mbi 400 mijë euro, që dyshohet se janë vjedhur në disa banesa të tjera ku ajo punonte si pastruese.