Aktualitet

Foto/ Vajza nga Kosova synon për herë të katërt rekordin Guiness, krijon flamurin gjigant me 120 mijë letra origami

Shkruar nga Liberale

Arbnora Fejza-Idrizi është vajza nga komuna Skënderaj që po synon sërish të hyjë në librin e rekordeve Guiness, për të katërtën herë. Me rastin e festave të Nëntorit, asaj i ka lindur ideja të krijojë një mozaik gjigant me flamurin shqiptar, duke përdorur letra origami.

Dhjetëra orë punë për të palosur në formë piramidale 120 mijë letrave origami, e për të formuar mozaikun prej 1.300 metrash katrorë. Arbnora ka treguar se iu desh ndihma e familjes dhe nxënësve, për të realizuar palosjen dhe pastaj për gati 4 ditë ajo ka bërë shtrirjen e tyre në  sallën e sportit në Skënderaj, një qytet rreth 50 kilometër larg kryeqytetit kosovar.

"Është dashur një muaj që të bëhej përgatitja e letrës, ku një copë letër ka pasur 10 palosje në vete, për të krijuar 120 mijë pjesë letre. Vështirësia më e madhe ka qenë kur kemi bërë matjet e para për të bërë shqiponjën, ato pikat koordinuese, masat etj.  Fillimisht kur kam bërë palosjet e letrave, kam angazhuar afër 70 nxënës nga shkolla e mesme “Medreseja Alauddin” Prishtinë, ku kanë punuar rreth 50 mijë pjesë letër, ndërsa 70 mijë pjesë kam punuar unë me disa familjarë të mi, ku nuk ka qenë aspak e lehtë. Një grup tjetër ka bërë dhe numërimin e tyre. Ka qenë një punë sfiduese për të gjithë grupin, mirëpo punimin e shqiponjës dy ditët e para e kam bërë vetë me dy-tre veta sepse kam pasur frikë t’ja besoj punën nxënësve. Natën finale me të gjithë stafin ne kemi bërë edhe punë përmbyllëse, përfundimin e flamurit gjë që na ka bërë të lumtur”, ka treguar Arbnora Fejza Idrizi.

Ajo ka treguar se në këtë projekt, përpos familjarëve dhe nxënësve, është ndihmuar edhe nga një arkitekt, i cili ka bërë një plan specifik me parametrat e sakta, në mënyrë që flamuri kombëtar dhe shqiponja dykrerëshe në mes, të duken sa më proporcionale. Fejza-Idrizi thotë se për përfundimin e projektit u deshën gjithsej katër ditë punë.

“Puna ka zgjatur prej orës 10 deri në orën 6 të mbrëmjes, ku e kemi bërë edhe shtrirjen komplet të mozaikut. Ky mozaik është 1.300 metra katrorë, është më i madh se mozaiku i kaluar”, thekson ajo, e cila ka hyrë në rekordin Guiness në shkurt të 2021 me realizimin e flamurit të Kosovës.

“Duke parë sakrificat e popullit tonë ndër vite, ndër shekuj dhe ndër dekada që për këtë flamur kanë dhënë shumë, jam shumë krenare që kam arritur të bëj diçka për vendin tim që ta prezantoj përtej kufijve dhe njëkohësisht të certifikohet si rekord botëror. Edhe gjatë procesit të punës kam qenë me emocione dhe shumë e lumtur. Mirëpo, kur është finalizuar, ta them të drejtën, nuk kam ardhur pothuajse deri në fund ta shikoj nga lart se si po duket dhe kam ngelur me emocione dhe ndoshta dhe lotët më kanë dalë nga gëzimi”, theksoi ajo.

Fejza-Idrizi me optimizëm pret lajm të mirë nga juria e Guiness-it, ku thotë se rregullat për të thyer rekord me

Duke përdorur artin e letrës origami (një art i lindur në Japoni), Arbnora Fejza Idrizi ka hyrë në librin Guinness për herë të parë në vitin 2018 me lulen më të madhe në botë prej 8,7 metrash. Për herë të dytë, ajo u bë pjesë e librit të rekordeve në vitin 2019 me vazon më të madhe prej letre, me një lartësi 2,73 metrash dhe gjerësi 2,38 metra, në të cilën paraqiti në miniaturë flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kurse për herë të tretë, pjesë e rekordit botëror me artin origami u bë në 2021 me flamurin shtetëror të Kosovës në përmasa prej 1 mijë e 216 metrash katrorë./Liberale.al

[gallery columns="1" size="full" jnewsslider="true" ids="1401273,1401272,1401289,1401288,1401294"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH