Ish-kryeminsitri Sali Berisha vijon sulmet ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim. Mbrëmjen e së enjte, Kim deklaroi nënjë studio televizie, se nga 200 vendime për shpallje 'non grata' nga SHBA, asnjë nuk është tërhequr.
Berisha i ka bërë apel presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, që të mos lejojë përfaqësuesit e tij që të ndërhyjnë në proceset e brendshme të partive politike, dhe aq më tepër për caktimin e drejtuesit të opozitës.
“I bëj thirrje Presidentit Biden që të mos lejojë përfaqësuesit e tij të ndërhyjnë në punët e brendshme të partive politike, veçanërisht përpjekjet e paimagjinueshme për caktimin e kryetarit të opozitës shqiptare, të partisë konservatore shqiptare”, tha Berisha gjatë një konference për mediat me gazetarët.
Berisha u shpall bashkë me familjen person i papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se ishte i përfshirë në korrupsion madhor. SHBA, përmes ambasadores Kim, por edhe zhytarëve të tjerë, ka bërë disa herë me dije që do të ndërpresë marrëdhëniet me PD, nëse Berisha zgjidhet kryetar i saj.
Pas shpalljes "non grata", Berisha nisi fushatën për të marrë drejtimin e PD-së, duke sulmuar Bashën se ishte marrë peng dhe kishte tradhtuar demokratët. Ai do të kandidojë për kreun e kësaj partie, në zgjedhjet e 22 majit, përballë Ibsen Elezi, i cili nuk gëzon publikisht ndonjë mbështetje të madhe nga ana e demokratëve.