Propozimi i fundit tregon përpjekjen serioze të BE-së për të nxitur rritjen e prodhimit nga vendet anëtare dhe për të favorizuar industritë vendase, si bujqësia. Shqipëria me një problematikë më të thellë, a duhet të ndjekë të njëjtën rrugë?
Klauzola mbi produktet 'Made in Evropë' për furnizimet e shkollave do të jetë pjesë e një rishikimi të rregullave në vendet anëtare me qëllim për të mbrojtur prodhimet bujqësore të bllokut.
Brukseli do të propozojë që frutat, perimet dhe qumështi që konsumohen në shkolla të jenë “prodhuar në Evropë”, si pjesë e një politike të gjerë për të favorizuar industritë vendase të prodhimit, nga mbrojtja te bujqësia.
Komisioni Evropian do të propozojë këtë javë se produkte si qumështi, frutat dhe perimet e blera përmes një skeme për shkollat duhet të jenë prodhuar medomos në Evropë. si një sinjal për shkollat që të blejnë më shumë në nivel lokal, sipas një projekt-propozimi të zbardhur nga Financial Times. Skema e BE do të financojë prodhime me vlerë rreth 220 milionë euro në vit.
Klauzola “Made in Evropë” pasqyron nxitjen e Brukselit që institucionet dhe kompanitë evropiane t’i japin përparësi mallrave vendase të tregut të përbashkët mbi importet, në një përpjekje për të nxitur industrinë në rënie në bllokut. Propozimi vjen ndërsa komisioni përgatitet të bëjë ndryshime rrënjësore në financimin e bujqësisë si pjesë e buxhetit të tij të ardhshëm të përbashkët, të cilin do ta propozojë.
Brukseli kohët e fundit ka futur klauzola për prodhimet “Made in Evropë” në rregullat e reja të prokurimit në mbrojtje dhe udhëzimet e ndihmës shtetërore për teknologjinë e pastër — kryesisht si rezultat i një fushate lobimi të udhëhequr nga Franca. BE gjithashtu ka vendosur objektiva të brendshëm për prodhimin e mallrave të tilla si lëndët e para të nevojshme.
Klauzola mbi shkollat — e cila gjithashtu kërkon që produktet nga prodhuesit e vegjël dhe fermat me prodhime kryesisht natyrale të kenë përparësi — do të jetë pjesë e një rishikimi të rregullave të tregjeve bujqësore të vendeve anëtare. Skema financohet nga buxheti i përbashkët i bllokut dhe do të mbahet në planin e ardhshëm të shpenzimeve të BE-së që fillon nga viti 2028, sipas projekt-propozimit.
“Është mirë që fëmijët të dinë se kjo është një mollë dhe se kjo mollë është marrë nga një pemë 5 km larg meje”, tha një zyrtar i BE-së.
Ndërsa BE-ja është një eksportuese neto e qumështit dhe produkteve të qumështit, ajo importon afërsisht dyfishin e sasisë së frutave dhe perimeve që eksporton. Furnizuesit e saj më të mëdhenj janë SHBA-ja, Maroku dhe Turqia.
Shtatëmbëdhjetë shtete anëtare tashmë i japin përparësi furnizimeve lokale ose rajonale, sipas analizës së komisionit të skemës aktuale të shkollave.
Skema do të mbetet pjesë e financimit sipas Politikës së Përbashkët Bujqësore të bllokut, e cila vlerësohet në 369 miliardë euro dhe përbën afërsisht një të tretën e buxhetit të përbashkët të BE-së.
Fermerët kanë qenë të vendosur që mbështetja financiare të ruhet për të siguruar sigurinë ushqimore, pavarësisht prioriteteve konkurruese si industria dhe mbrojtja.
Komisioni do të propozojë që mbështetja e drejtpërdrejtë e të ardhurave për fermerët — me vlerë rreth 291 miliardë euro — të jetë e kufizuar, por shtetet anëtare do të kenë fleksibilitet më të madh në lidhje me mbështetjen për nevoja shtesë, siç janë trajnimi dhe financimi për rajonet e largëta.
Pagesat për fermerët do të vazhdojnë të shpërndahen sipas madhësisë së fermës, por duhet të bëhen sipas një shkalle rrëshqitëse që do t'u sjellë më shumë dobi fermerëve të vegjël. Financimi do të kufizohet në 100,000 euro për fermer në vit me qëllim për të synuar më mirë mbështetjen, sipas një drafti të veçantë.
Gjithashtu, do të përcaktojë për herë të parë që fondet e BE-së mund të përdoren për të paguar punëtorët zëvendësues nëse fermerët duhet të marrin leje në raste sëmundjeje ose lindjeje, për të inkurajuar gratë të qëndrojnë në profesion.
Komisioni nuk i ka bërë ende publike propozimet.