Preç Zogaj
Në ravgimin për të shtuar ndjekës Sali Berisha ka përdorur lloj-lloj narrativash. Njëpërdorimëshe dhe me shtrirje në kohë.
Narrativa që ka bërë për vete më shumë syresh është ajo se Luzim Basha ka shitur kauzat e PD-së dhe opozitës. Kësaj narrative i është bashkuar me entuziazëm të veçantë, madje si violinë e parë herë-herë, edhe Ilir Meta.
Nga mënyra si është paraqitur, shitja e opozitës nga Basha është servirur herë si shitje me lekë në dorë, herë si marrje tenderash e favoresh finaciare, herë me të dyja mënyrat. Në shkëmbim i ka hapur krahun e lënë blerësin Edi Rama të fitojë. Njëlloj si në pazaret me shitje ndeshjesh. Por duke shitur një gjë shumë më të vyer e më të rëndë: radhën e opozitës, pushtetin, rrotacionin, ëndrrën e njerëzve për ndryshim.
Asnjë provë nuk është dhënë për këtë akuzë . E nuk mund të jepet. Sepse është në princip absurde. Sepse shefi i opozitës, cilido qoftë ai apo ajo, ka ardhur në krye dhe është aty ku është për të sfiduar me votë e për t’i marrë vendin me votë kryeministrit në fuqi. Mund të dështojë për paaftësi e shumë arsye të tjera, por nuk mund të çedojë me dashje për asnjë lloj arsyeje nga synimi politik natyral dhe ekzistencial i fitores. Ca më shumë një lider më i ri në moshë dhe më i pakonsumuar në pushtet se kryeminstri kundërshtar.
Nga kjo pikëpamje, akuza për shitje të opozitës është destinuar të ngrihet mbi spekulime të liga e amatoreske rreth momenteve të rralla të takimeve e marrëveshjeve të caktuara të kreut të opozitës dhe atij të shumicës për të zgjidhur ngërçe, për të ndërmarrë a finalizuar ndonjë nismë a reformë superpartis. Në një demokraci normale takime të tilla janë rutinë. Ato nuk e cenojnë pluralizmin, diveristetin, dikotominë politike. Përkundrazi.
Megjithëse jetën politike në Shqipëri gjatë këtyre tri dekadave e kanë ndjekur dhe vijojnë ta ndjekin si erinitë e lashta skemat e armiqve të saj historikë për ta mbajtur vazhdimisht të minuar e në konfliktualitet demokracinë e saj, ka pasur nën shtyrjen e ngjarjeve ose partnerëve Perëndimore momente të rëndësishme të bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës. Le të kujtojnë marrëveshjen e 9 marsit 1997 që evitoi përshkallëzimin kritik të konfliktit dhe kalimin e zgjidhjes së krizës përmes kutive të votimit. Apo marrëveshjen Nano-Berisha për zgjedhjen e presidentit konsensual Alfred Moisiu në vitin 2002. Apo marrëveshjen Berisha-Rama për reformën kushtetuese të vitit 2008, e tjerë.
Në këtë linjë edhe marrëveshja Rama-Basha në vitin 2017 për zhbllokimin e ngërçit të mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e atij viti. Dhe këtu duhet shënuar se pasi kishin dështuar partnerët gjermanë e europianë, draftin e projektmarrëveshjes e hartuan dhe ua vunë përpara për firmë partnerët amerikanë. Duke venë edhe një fusnotë për fëmijë të këqij që thoshte: Kundërshtimi i një pikë të këtij drafti do të konsiderohet si kundërshtim i gjithë draftit. Pra merre ose lere, por s’ke të drejtë ta prekësh. Ka qenë dhe është e qartë pra së marrëveshjet nuk janë shitje, por investim politik për interesa të përbashkëta.
Në stilin e ndërtimit të akuzave me destinacion fantazinë- domethënë sekush t’i marrë e t’i zhvilloje vetë si t’i vinë për shtat- Berisha ka luajtur me dëshpërimin dhe depresionin e demokratëve nga humbja e zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021.
Mjaft prej tyre, duke mos dashur a mos mundur të futeshin në arsyet komplekse të asaj që ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit, ishin duke pritur një kokë turku. Dhe si për ironi të mënyrës si shkojnë gjërat në kazermat politike ku po e tha lideri fluturon edhe gomari, koka e turkut u bë pikërisht ai që kishte marrë më shumë vota në zgjedhjet për kryetar partie pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Me vetinë e tyre për t’i zhveshur mesazhet nga stërhollimi, ndjekësit i bien me drejt se lideri, duke e lexuar saktë ku e ka fjalën e ku kërkon të dalë ai. Ndjekësit e Sali Berishës kanë kuptuar nga narrativa e tij se Basha u ka prirë në protesta por nuk i ka çuar te burimi, “nuk ka hyrë brenda”, nuk e ka rrëzuar Ramën. Sepse ka qenë i shitur. Rrjedhimisht, me shporrjen e të shiturit dhe me rikthimin në krye të Berishës shitja e opozitës merr fund, shitja e kauzave opozitare merr fund, Berisha do t’ja shkurtojë ditët Ramës dhe qeverisë së tij. Berisha “do t’i futet brenda”, frazë që pakuptimisht apo më saktë marrëzisht, ka marrë në mendjen e një numri jo të vogël militantësh berishistë kuptimin e marrjes së pushtetit me force, duke e ngatërruar me marrjen e një godine.
Kam pasur rast të bisedoj e të dëgjoj qindra syresh që i njoh personalisht, deri njerëz të afërt. Verbëria e fansave fanatikë duhet lënë të shërohet në dështimin pambarim të pritshmërive të tyre. Arsyeja nuk e meriton mundimin të konsumohet me ta. Sali Berisha ka bërë protestat më paqësore të karrierës së tij, shumë më paqësore se protestat e drejtuara nga Lulzim Basha. Dhe do të vazhdojë ti bëjë të tilla. Natyra paqësore e protestave i jep vazhdimësi përpjekjes së tij në arenë.
Ndërkohë që protestat e dhunshme do ta ndërprisnin me kosto edhe më të rëndë se deri tani ravgimin e tij për të sfiduar fatin e keq. Koha po shtërngon për shumë politikanë dhe ish politikanë të lartë që kanë kryer vepra penale përgjatë viteve. Nuk shoh në skenë në këtë moment zhvillime qe do ta shtynin Berishën të bënte hara-kiri me protesta të dhunshme. Thënë këtë, duke qenë i qartë për qëllimin e protestave që ai thërret, unë natyrisht e kam përshëndetur dhe do ta përshëndes karakterin e tyre paqësor.
Për tu kthyer te e ashtuquajtura “shitje” e opozitës: Ndërsa nuk mund të ekzistojë në kuptimin e literal apo në kuptimin e një fjale të tregut, mund të ketë megjithatë një “shitje” politike të opozitës. Dhe kjo është futja e opozitës në skema dhe hulli që pamundësojë fitoren e saj. Në këtë hulli e kanë futur opozitën Berisha me të tijtë. Sot, në gjitha matjet që zhvillohen nga kompani të huaja dhe vendase të sondimit të parapëlqimeve politike, opozita Berisha-Meta është shumë larg opozitës Basha-Kryemadhi.
Edhe po të shtonin pikët e PD-së që drejton Alibeaj, përsëri shumatorja opozitare nuk e arrin shifrën dyzet e shtatë-tetë për qind të opozitës Basha-Kryemadhi. Askush nuk është shitur. Berisha nuk është shitur. Por ka zgjedhur të sfidojë ligjësitë e politikës dhe peshën e partneritetit të Shqipërisë me SHBA, Britaninë e madhe dhe vende të ndryshme të BE-së. Do të thotë të pamundurën për të fituar./Liberale.al/