Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 1 në 3 apartamente në Tiranë u blenë këtë vit nga të huajt, çfarë pritet të ndodhë me çmimet për 2024-ën dhe më tej? 

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 1 në 3 apartamente në Tiranë u blenë

Aranit Muraçi Shitjet e apartamenteve nuk janë ndalur gjatë dekadës së fundit pavarësisht rritjes së çmimeve. Që jeta në Shqipëri dhe veçanërisht në Tiranë të bëhet sa më e përballueshme dhe të rinjtë ta shohin të ardhmen në vendin e tyre, duhet që tregu imobilar të jetë sa më normal. Nëse një i tillë tregon “shenja depresioni” apo anormaliteti për shumicën e qytetarëve, pavarësisht përfitimeve të një kategorie të caktuar, është detyrë e qeverisë që të ndërhyjë përmes politikave të saj fiskale dhe sociale, me qëllim që tregu të jetë po aq edhe i aksesueshëm. Në të kundërt, e ardhmja do të jetë për të huajt, turistët dhe emigrantët që vendosin të pushojnë ose të pleqërojnë në Shqipëri.
2023 edhe pse shënoi rekord në të ardhura, ishte një vit demoralizues për shumë blerës aspirues të banesave. E ndërsa shumë prej tyre prisnin që të ulej çmimi, ose të paktën çmimi të mos rritej, ndodhi ajo që pak e kishin parashikuar. Tregu imobilar në dekadën e fundit, në Tiranë dhe në zonat më të kërkuara për apartamente, thuajse i ka dyfishuar çmimet. Të dhënat e fundit tregojnë se në kryeqytetin shqiptar, një metër katror luhatet nga 1 mijë Euro mesatarja (çmimi më i lirë në periferitë e largëta) në 4 mijë Euro mesatarja (çmimi në zonat e preferuara). Rritja e çmimit të banesave lidhet kryesisht me rritjen e çmimit të lëndëve të para dhe të kostos së punës, ndërsa një ofertë më e lartë në një kohë kur shumë qytetarë po largohen dhe po zgjedhin të jetojnë dhe punojnë jashtë, lidhet me interesin e të huajve përfshirë edhe emigrantët për të blerë apartament në kryeqytetin shqiptar. Çmimi mesatar i shtëpive në tremujorin e tretë ishin në rreth 100 mijë euro në Tiranë, ndërkohë që paga mesatare në vendin tonë shkoi në 700 euro. A mund të blihet apartamenti me një pagë të tillë, shtrohet pyetja, dhe nëse jo, atëherë kush investon dhe kush po blen apartamente në Shqipëri? Si do të jetë viti 2024 e më tej?  E vështirë të bëhen parashikime për Shqipërinë, një treg, që dukshëm nuk i përgjigjet ligjeve të tregut. E thënë ndryshe, një treg ku investohen para në sektorin e ndërtimit që nuk dihet se nga e kanë burimin dhe blihen apartamente nga individë, të cilët gjithashtu nuk dihet se nga vijnë apo shkojnë dhe arsyen pse po vendosin të blejnë në Tiranëë. Gjithsesi, shumë ekspertë besojnë se tregu është ngopur nga fluksi i madh i ndërtimeve dhe për rrjedhojë nuk do të ketë më tej rritje të çmimit. Pra, pritet që të ketë një qëndrueshmëri dhe rritje të papërfillshme në dy-tre vitet e ardhshme. Të dhënat zyrtare tregojnë se në shumicën e vendeve të Europës çmimi i banesave ka rënë gjatë vitit 2023, ndonëse shumë prej këtyre vendeve po përballen me flukse të mëdha emigrantësh, ndryshe nga Shqipëria po përballet me të kundërtën e këtij fenomeni. Gjermania vendi më i populluar aktualisht në Europë (zyrtarisht 84 milionë banorë) është një nga vendet me krizën më të rëndë të strehimit, e megjithatë, çmimet e banesave parashikohet të ulen me 5.5% deri në fund të 2023. Deri në fund të vitit 2023, shitjet e apartamenteve të banimit edhe në Francë pritej të binin për shkak të rritjes së normave të hipotekës. Ka pasur një ngadalësim të vazhdueshëm të shitjeve të shtëpive në Francë, që nga viti 2021. Midis 2021 dhe 2022, shitjet shfaqën një rënie prej 6%. Në tremujorin e parë të vitit 2023, vendi më të ardhurat më të lartë për frymë në Europë, Zvicra shënoi një rënie prej 1% në çmimet e banesave krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022. Deri më tani, çmimi mesatar për metër katror në Zvicër qëndron në 9.441 dollarë, kurse të ardhurat mesatare për frymë janë rreth 10 herë më të larta se në Shqipëri. Në gjysmën e parë të vitit 2023, çmimet e banesave në Norvegji, një nga vendet e tjera më të pasura të Europës, pësuan një rënie nga viti në vit 0.1%. Aktualisht, çmimi mesatar për metër katror të një shtëpie në një ndër vendet më të zhvilluara të Europës është rreth 4,892 dollarë, ose tre herë më i lartë se në Shqipëri, ndryshe nga mesatarja e pagës që është 8 deri në 10 herë më e lartë. Kush po i blen apartamentet në Shqipëri? 1/3 e apartamenteve në Tiranë dhe në mbarë vendin tonë po blihet nga shtetas të huaj. Sipas të dhënave të INSTAT nga janari deri në shtator të këtij viti janë shitur apartamente me vlerë 982 milionë euro, duke u rritur me 123 milionë euro krahasuar me një vit më parë.  Të dhënat zyrtare tregojnë se aktiviteti i pasurive të paluajtshme në tremujorin e tretë të vitit 2023 u rrit me 12.2%, ai i ndërtimit me 4.72%, kurse transporti e hotelet u rritën me vetëm 0.77% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, aktiviteti i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka prekur vlerat rekord gjatë 10 viteve të fundit. Kështu, gjatë 9 muajve të këtij viti transaksionet në sektorin e pasurive të paluajtshme kanë kapur vlerën rekord prej 982,1 milionë euro dhe krahasuar me një vit më parë, vlera e transaksioneve në këtë sektor është rritur me më shumë se 123 milionë euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 1/3 e apartamenteve të shitura që prej vitit 2020, janë blerë nga shtetas të huaj, shumica shtetas jo rezidente në vendet e BE-së. Një pjesë e madhe e këtyre pronave përdoren për biznese, jepen me qira, ose përdoren për shtëpi pushimi, pasi më së shumti janë blerë në bregdet. Aktiviteti i pasurive të paluajtshme së bashku me sektorin e ndërtimit ishin motorët kryesor që ndikuan në rritjen ekonomike në periudhën korrik-shtator. Sipas të dhënave zyrtare transkaksionet e pasurive të paluajtshme në vitin 2018 ishin: 875,381,389 euro, në vitin 2019:  922,718,783 euro, në vitin 2020: 971,556,168 euro, në vitin 2021:   1,032,948,676 euro, në vitin 2022: 1,164,772,602 euro dhe në 9 mujorin e parë të vitit  2023:        982,114,549 euro, çka tregon se një ofertë në rritje ka ndikuar gjatë viteve të fundit në rritjen e çmimeve. Pavarësisht fluksit në rritje, tregu besohet se pos shkon drejt ngopjes. Të paktën për sa u përket çmimeve. E sigurt është se sido qoftë, Tirana për 30 vitet e ardhshme nuk do të jetë kurrë më e shtrenjtë se Athina dhe Roma.   /Liberale.al/    

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH