Aktualitet

Zgjedhjet/ Kreu i OSBE: Kriminelët mund të zotërojnë shumë gjëra...

Shkruar nga Liberale
Zgjedhjet/ Kreu i OSBE: Kriminelët mund të zotërojnë

Teksa na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, Policia e Shtetit ka nisur trajnimin për detyrat dhe rolin e saj në këtë proces.

I pranishëm në këtë çelje të trajtimit ishte kreu i Prezencës së OSBE-së Vincenzo Del Monaco, i cili dha mesazhet e qarta për këtë proces, ndërsa theksoi se zgjedhjet janë të rëndësishme për demokracinë.

“Si kreu i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, jam i kënaqur të nxis mbështetjen e vazhdueshme që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ofron institucioneve shqiptare për të organizuar dhe administruar zgjedhjet në përputhje me praktikat e njohura ndërkombëtare, ndërsa reflektojmë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Siç më informuan kolegët e mi, ky trajnim mbi administratën zgjedhore vit pas viti, ka qenë i suksesshëm. Unë ju inkurajoj ta shfrytëzoni dhe zbatoni në praktikë. Jam i kënaqur të shoh që Departamenti ynë i Bashkëpunimit për Çështjet e Sigurisë po koordinon me Policinë e Shtetit për të përgatitur dosjet me materialet e trajnimit për secilin pjesëmarrës, si dhe mbështetjen që jep Prezenca e OSBE-së në Shqipëri për botimin e librit të xhepit për rolin dhe detyrat e policisë gjatë procesit zgjedhor. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një partner strategjik i Policisë së Shtetit, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm dhe afat gjatë me Ministrinë e Brendshme. Partner për këtë trajnim zgjedhor dhe partner në ofrim të ndihmës dhe mbështetjes teknike, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kërcënimeve trans-nacionale”, tha kreu i OSBE-së.

Diplomati Vincenzo Del Monaco deklaroi se OSBE do të mbështesë institucionet shqiptarë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë me standarde ndërkombëtare. “Kriminelet zotërojnë shumë gjëra, ata kanë armë, para dhe mund të shtiren si të fuqishëm, por ajo që i frikëson më shumë është e vërteta. Patjetër që e vërteta është diçka tjetër që ne e përkthejmë me rregullat në demokraci.

Prania ime këtu është pjesë e përgatitjes se një prej festimeve më të rëndësishme të demokracisë, zgjedhjet, zgjedhjet e 25 prillit.”, u shpreh ambasadori.

Duke theksuar se Policia ka një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është shprehur: “Besimi i qytetarëve dhe i organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet, në integritetin e Policisë së Shtetit të arritur në zgjedhjet e mëparshme janë garanci për ushtrimin e të drejtës themelore për të votuar dhe inkurajim e mbështetje për Policinë e Shtetit, për më shumë profesionalizëm në funksion të zbatimit të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Në zbatim të përgjegjësive që ligji dhe Kodi Zgjedhor na ngarkon për procesin zgjedhor dhe në parimin e shtetit të së drejtës se “Askush nuk mund të dalë mbi ligjin”, çdo punonjës i Policisë së Shtetit, në çdo rast, gjatë kryerjes së detyrës duhet të manifestojë standardet më të larta profesionale, etike dhe integritet në zbatimin me përpikëri të ligjit”.

Zv/Prokurori i Përgjithshëm zoti Jano pohoi se: “Strukturat e Prokurorisë së Përgjithshme do të punojnë në mënyrë të vazhdueshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për evidentimin e të gjitha raste kur do të cenohet ky proces. Ne do të punojmë për plotësimin e të gjitha detyrimeve që na takojnë, me qëllim që të rrisim besimin e qytetarëve, të cilët për çdo rast të shkeljes së ligjit, mund të drejtohen në institucionet përgjegjëse”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH