Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj aksionit të ndërmarrë sot për goditjen e tregtimit pa faturë të produkteve blegtorale, duke e cilësuar si pasojë direkte të skemës aktuale të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Në një reagim në rrjetet sociale, Braçe ka theksuar se problemi nuk qëndron te fermerët apo grumbulluesit, por te vetë mënyra se si është ndërtuar sistemi i TVSH-së, që sipas tij detyron aktorët e tregut të shmangin faturimin për të mos dalë me humbje.
“Skema e TVSH-së që aplikohet prej vitit 2018 ka futur sektorin në informalitet të thellë dhe ka rritur importin e produkteve bujqësore e blegtorale, duke cenuar sigurinë ushqimore”, shkruan Braçe.
Sipas tij, fermeri nuk lëshon faturë me ligj, ndërsa faturën apo autofaturën e lëshon grumbulluesi apo përpunuesi. Por kjo procedurë, në kushtet e skemës aktuale, ku TVSH është 0% në blerje dhe 20% në shitje, i vendos grumbulluesit në pozita të pafavorshme, pasi humbasin financiarisht.
“Të paguash TVSH me 0 në blerje dhe 20 në dalje, është më e kushtueshme sesa të importosh produktin. Kjo ka dëmtuar prodhimin vendas dhe ka nxitur shmangien e faturimit.”
Braçe thekson se prej gjashtë vitesh ka paralajmëruar për pasojat e kësaj skeme dhe ka bërë propozime për ndryshimin e saj, por ka hasur në kundërshtim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse.