Aktualitet

Vrau të dashurën dhe vjehrrën, ish-agjenti i SHISH dënohet me burgim të përjetshëm

Shkruar nga Liberale.al

Vrau të dashurën dhe vjehrrën, ish-agjenti i SHISH dënohet

Marjan Rroku, ish-agjenti i SHISH i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të dashurës dhe nënës së saj në vitin 2001, ka humbur një tjetër betejë ligjore, këtë herë në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja ka refuzuar të shqyrtojë në seancë plenare ankimimin e paraqitur prej tij, duke lënë të pandryshuar vendimin e mëparshëm për dënimin me burgim të përjetshëm si autor i vrasjes së Alda dhe Mbarime Canajt.

Në ankimimin e tij, Rroku kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të tre shkallëve të gjykimit – të Gjykatës së Tiranës, Apelit dhe Gjykatës së Lartë – që kishin refuzuar kërkesën për pavlefshmëri të urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal. Ai pretendonte se urdhri ishte i pavlefshëm pasi ishte firmosur vetëm nga kryesuesi i trupës gjykuese dhe jo nga të tre anëtarët, siç parashikohet.

Por Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën, duke theksuar se ankimi është paraqitur përtej afatit ligjor. Rroku e kishte dorëzuar kërkesën në prill 2025, 11 vite pasi ishte njohur me vendimin, ndërkohë që afati ligjor për ankim në Kushtetuese është 4 muaj, ndërsa sipas ligjit të vjetër ishte 2 vite.

Marjan Rroku u dënua në mungesë në vitin 2002, pasi gjatë hetimit dhe gjykimit ai u fsheh nga drejtësia shqiptare. Ai u arrestua në SHBA dhe u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, nga e cila kohë vuan edhe dënimin.

Në vitin 2016, Rroku kërkoi rihapjen e çështjes, por kërkesa iu refuzua në të gjitha shkallët e gjykimit dhe tashmë, edhe Kushtetuesja ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.


  

Liberale Newsroom

A është koha që të reformohet rrënjësisht sistemi arsimor dhe veçanërisht arsimi i lartë në vendin tonë?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH