Procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka hyrë në fazën e tij përfundimtare, nën një vëzhgim të rreptë ndërkombëtar.
Edhe raundi i fundit i intervistimeve me kandidatët është zhvilluar sot, nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të SHBA-së, Bashkimit Europian dhe programit amerikan ICITAP, që asiston prej vitesh drejtësinë shqiptare.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, çdo kandidat ka pasur në dispozicion 45 minuta për të zhvilluar intervistën përballë një paneli prej tre prokurorësh të posaçëm të SPAK. Paneli është raportuar si i përçarë, për shkak të preferencave të ndryshme që kanë për disa nga emrat pjesëmarrës në garë.
Pyetjet kanë qenë të fokusuara në përvojën profesionale, vizionin për drejtimin e BKH-së, si dhe skenarë teknikë mbi menaxhimin dhe funksionimin e institucionit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar mënyrës se si secili kandidat do të përballej me sfida konkrete të hetimeve të nivelit të lartë.