Dalja në dritë e detajeve të reja hedh më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës, ku një 25-vjeçar mbeti i plagosur me thikë.
Sipas burimeve nga hetimet, autori i dyshuar, Shkëmbor Skënderaj, ka hyrë me qëllim në një berberhane ku ndodhej Margarit Shakaj, 25 vjeç, dhe e ka goditur këtë të fundit me thikë në kraharor.
Ngjarja dyshohet se është pasojë e një konflikti të mëparshëm mes dy të rinjve. Menjëherë pas sulmit, Skënderaj ka hedhur thikën në trotuar dhe është larguar me vrap nga vendngjarja duke u fshehur në lagjet përreth.
Margarit Shakaj është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori vijon të jetë në kërkim nga policia. Shërbimet hetimore janë në terren dhe po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Grupi hetimor po vijon gjithashtu punën për dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e plotë të motiveve të konfliktit.