Në një intervistë të zhvilluar së fundmi me gazetarin Ronaldo Sharka, opinionistja e njohur Neda Balluku ka folur hapur për eksperiencën e saj në “Big Brother VIP”, marrëdhëniet me ish-banorët dhe mendimin për disa prej personazheve më të përfolur të ekranit.
E pyetur se me kë do të donte të kalonte pushime të paharrueshme mes Balina Bodinakut, Zhaklin Lekatarit dhe Ori Nebijajt, Neda është shprehur pa hezitim:
“Ori Nebijaj është për mua një nga njerëzit që e bën jetën në mënyrë shumë elegante, modeste dhe pozitive. E njoh dhe sigurisht do të zgjidhja Orin.”
Lidhur me rolin e saj si opinioniste në “Big Brother VIP”, ajo theksoi:
“Po, mendoj se jam opinionistja më e ndershme me banorët dhe publikun. Më transparentja,” duke nënvizuar se gjithmonë është përpjekur të jetë objektive dhe e drejtë në panel.
Neda u shpreh se nuk e di nëse do të rikthehet në edicionin e ardhshëm të “Big Brother”, duke ia lënë këtë vendim “punëve të Zotit dhe të Top-it”, siç u shpreh me humor.
Për banorët e këtij sezoni, ajo përmendi me vlerësim dy emra të njohur tashmë në emisionin “Goca & Gra”:
“Gerta Gixhari dhe Loredana Brati janë dy vajza që kanë bërë një performancë shumë të mirë. Më vjen shumë mirë që Top Channel u ka besuar një emision të tillë, sepse është unik dhe shumë i rëndësishëm për televizionin shqiptar,” – tha Neda.
Gjithashtu, ajo u shpreh e lumtur për suksesin që po korrin edhe disa nga ish-banorët:
“Jam shumë e lumtur për Gjestin, ka një dashuri të madhe nga publiku. Egli po ecën, po bën koncerte, po rritet. Kam një komunikim të vazhdueshëm me Laert Vasilin dhe G-Banin. Janë mendje shumë të zgjuara dhe e vlerësoj shumë dëshirën e tyre për të ruajtur kontaktin me mua.”