Policia e Vlorës ka reaguar pas plagosjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Isa Boletini”, ku një 25-vjeçar u qëllua me thikë gjatë një konflikti në një berberhanë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, dhe sipas informacioneve zyrtare, autori i dyshuar është shtetasi Sh. S., 24 vjeç, i cili ka plagosur me mjet prerës shtetasin M. Sh., 25 vjeç. I riu është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shpallur menjëherë në kërkim autorin e dyshuar dhe po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Sipas të dhënave paraprake, sherri ka ndodhur për motive të dobëta, por grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.