Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, ka dëshmuar sot në Gjykatë në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të moshës së tij. Në prani të një psikologeje, ai është marrë në pyetje nga avokatët lidhur me ngjarjen tragjike dhe konfliktin që kishte me viktimën.
Sipas dëshmisë së tij, përplasjet mes dy të rinjve kishin nisur tre ditë para vrasjes, fillimisht në rrjetin social TikTok. Përlleshaj pretendon se gjatë një takimi në shkollë, Cani e kishte goditur me grushta. Më pas, debati vijoi edhe në platformën “Snapchat”, ku sipas tij, Cani i kishte dërguar një ftesë dhe kishin rënë dakord që të sqaronin konfliktin ditën e hënë – ditën kur ndodhi edhe ngjarja e rëndë.
“Sherri nisi në TikTok. Tre ditë para ngjarjes më goditi me grushta. Debatuam edhe në Snapchat dhe lamë që do të sqaroheshim ditën e hënën,” deklaroi Mario përballë trupit gjykues.
Megjithatë, në lidhje me ngjarjen konkrete, ai ka zgjedhur të mos japë shumë detaje, duke iu përgjigjur shumicës së pyetjeve me “nuk e mbaj mend”. Për sa i përket mjetit prerës me të cilin ndodhi vrasja, Përlleshaj mohoi të ketë pasur thikë me vete atë ditë, duke pretenduar se e gjeti atë në rrugë.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet javën e ardhshme, pasi avokatët e palës së dëmtuar kanë paraqitur kërkesa shtesë për ekspertiza të tjera. Përlleshaj do të merret sërish në pyetje.