Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka kërkuar shkarkimin nga detyra të prokurores së Vlorës, Flora Çela, duke e akuzuar për mangësi në profesionalizëm dhe cënim të besimit të publikut ndaj drejtësisë.
Në seancën përfundimtare të zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Dumani theksoi se Çela ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme në hetimin e një dosjeje të rëndë të vitit 2017 që lidhej me kapjen e 16 tonëve kanabis sativa në Vlorë.
Sipas SPAK, droga ishte e paketuar dhe gati për trafikim, dhe hetimi duhet të ishte ndjekur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjë që nuk ndodhi. Gjithashtu, provat u administruan me vonesë, përfshirë një pajisje DVR e sekuestruar, që mund të kishte ndihmuar në identifikimin e bashkëpunëtorëve. Ajo pajisje u kontrollua vetëm pas një viti dhe u shpall e pafunksionale, pa u kryer ekspertim i specializuar.
Dumani shtoi se masat e sigurisë ishin vendosur me arsyetime të dobëta, dhe mungonte një hetim pasuror për një nga personat e dyshuar. Ai tha se këto veprime e bënin të pamundur që Çela të përmbushte standardet e kërkuara për një prokurore.
Nga ana tjetër, prokurorja Flora Çela dhe mbrojtja e saj ligjore kundërshtuan pretendimet, duke argumentuar se veprimet janë kryer në përputhje me ligjin dhe se nuk ka pasur prova për të çuar çështjen në një tjetër juridiksion. Ajo theksoi se lënda narkotike ishte në gjendje të degraduar dhe se nuk kishte elementë për të ngritur akuzë për grup të strukturuar kriminal.
Çela kërkoi konfirmimin në detyrë, duke e konsideruar të pabazuar pretendimin se ajo ka cënuar besimin publik.
Vendimi i Kolegjit do të shpallet më 25 korrik, në orën 15:30.