Letërsi

Vetëvrasja në rrafshin ideor e artistik të letërsisë shqipe

Shkruar nga Liberale

Dr. Riza Braholli 

Vetëvrasja është një akt, finalizim ekstrem i ndërveprimit të një sërë faktorëve që zakonisht përfshin një histori problemesh psikosomatike, sëmundje mendore apo fizike, abuzim me substanca, mosmarrëveshje familjare dhe shoqërore, konflikte ndërpersonale dhe stresorë të tjerë të jetës.

Ky fenomen, që e ka bashkëshoqëruar qenien njerëzore në kohë, që me lindjen e saj, akt në të cilin njeriu i merr jetën vetes së vet, me dëshirën të tij, me anë të një veprimi të vetëdijshëm, është një aspekt i shumëtrajtuar edhe në letërsi. Pikërisht, edhe në këtë kumtesë, ne jemi të interesuar për vetëvrasjen, jo si një qasje mimetike të këtij fenomeni, por si një moment krijimi në rrafshin ideor në letërsi.

Në letërsinë botërore, sidomos në atë moderne, në të cilën qenia kthehet në një objekt të të shumëhulumtuar, deri në thellësirat e skutat e saj më të pazhbirueshme, shpesh, ky akt ka shërbyer si një përfundim, zgjidhje e pikës kulminante në zhvillimin e subjektit të veprave, duke ardhur si një rrjedhim logjik i rrugëtimit psikologjik të këtyre subjekteve në kushte apo rrethana të caktuara shoqërore.

Ky fenomen nuk mund të bënte përjashtim edhe në letërsinë shqipe. Por si pasqyrohet ky fenomen në rrafshin artistik të letërsisë shqipe? A është ky një mimesis apo është një përfundim i ngritur në rrafshin ideor e artistik të krijimit, si një realitet tjetër i ngritur mbi të vërtetat e qenies? A kanë lidhje këto shfaqje të këtij fenomeni me realitetin social e mental të kohës e shoqërisë në tërësi dhe a vjen ky si një rrjedhojë, shkak-pasojë e këtij realiteti apo vjen si një problem e moment ekzistencial në të cilin, njeriu, qenia është e prirur të jetojë në një apokalips të përhershëm e të pashpresë nga i cili detyrohet që të gjejë si zgjidhje, rrugën më të shkurtër, vetëvrasjen?

Për të qenë korrekt, letërsia shqipe nuk është ngritur në ato stade civilizimi. Motive dhe personazhe me në qendër vetëvrasjen janë t’i numërosh me gishtat e dorës. Kjo, mbase dhe se zhvillimi modern i pa arritur i tërë shoqërisë ka kushtëzuar edhe zhvillimin e papjekur modern të individit. Por mbase edhe sepse akti i vetëvrasjes në periudhën letrare të pasluftës konsiderohej si akt tradhëtie ndaj atdheut dhe ishte dhe e papranueshme edhe në një art që në qendër të tij kishte personazhin pozitiv, heroin. Kështu që nuk ka krijuar dot shtratin apo humusin e duhur për ta kultivuar edhe këtë fenomen e për ta bërë objekt e subjekt të veprave artistike dhe letrare; dhe kështu na duhet të themi se letërsia shqipe i ka të paktë shembujt e lëvrimit artistik të këtij fenomeni.

Në hulumtimin tonë ne kemi marrë për shqyrtim një nga autorët më të përmendur në letërsinë shqipe: Migjenin me skicën alegorike, “Vetëvrasjen e Trumcakut”, që mendojmë se trajton një qëndrim e raport shoqëror të individit përballë shoqërisë;

Para se të hyjmë në të fshehtat e fjalive dhe të figurave të skicës “Vrasja e trumcakut”, kujtojmë një thënie të vetë poetit, në të cilën ai shfaq ekzistencializmin e qasjen e tij shpirtërore e morale ndaj botës e shoqërisë. ”Mendimet e mia nuk janë mendimet e një njeriu, që është i kënaqun me jetën, por janë mendimet e një njeriu që vuan. Unë vuej për gjithë sëmundjet e botës”.

E kemi parë gati te e gjithë vepra e Migjenit këtë pakënaqësi, këtë revoltë, këtë pamundësi të tij përballë botës e realitetit, përballë të vërtetave që fsheh ekzistenca e qenies në vetvete. Tek trumcaku dhe vetëvrasja e tij, një skicë fabulore e jashtëzakonshme, ndonëse e lënë disi në hije nga studiuesit në krahasim me pjesën tjetër të veprës, ne nuk shohim vetëm vuejtjen e tij, por edhe më tej, sublimimin, refuzimin e krejtësishëm të realitetit prej tij, deri në vetëvrasje: “të një trumcaku melankolik e inteligjent që vret veten” – ne do të shtonim – një lloj hakmarrje ndaj këtij realiteti e kësaj shoqërie të kalbur.

Migjeni, për të na e zhveshur të vërtetën krejt lakuriq, përdor trillin e imagjinatës. …Migjenin e quajmë poetin më modern të viteve 30, sepse parandjeu intuitivisht prirjet e reja të letërsisë botërore bashkëkohore, duke vënë në qendër të saj problemin e tjetërsimit.[1] E shndërron realitetin në një tjetër realitet analogjik, që është i ngjashëm vetëm si thelb, sepse figurativisht na sjell një realitet të vrazhdë, të pangjashëm, joidentik edhe me peizazhet e frikshme të ferrit dantesk, duke i dhënë më shumë forcë idesë së tij për pamundësinë e të jetuarit në këtë realitet dhe kështu duke e bërë vetëvrasjen një akt të pranueshëm qytetar, të pafaj e të domosdoshëm.

Kush është “trumcaku”? sqarimin e parë na e jep vetë poeti: …vuente nga melankolia. Stilistikisht poeti na fut në thelb e në qendër të gjithçkasë së mëpastajme. Ai e drejton dhe zhvendos fokusin në brendësi të qenies, atje ku ndodhin zjerja e vërtetë e ndjenjave, vuajtjeve, dashurive, urrejtjeve, dhembjeve; në rastin tonë melankolia e vet. Dhe, përballë figurës së brishtë të zogut, ngre çerdhen e tij, vendin ku ka lindur. …U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit e në vend të pemve - brinat e një shtazës parahistorike. Kamera e tij lëviz me një shkathtësi, mendim e projektim kinematik surreal. Ç’është ky vend me këto vizatime e montazhe të tilla? Natyrisht i denatyruar; dhe kur mendojmë për çfarë ka nevojë një zog, një trumcak…, komentet bëhen të panevojshme …Dihet se një trumcaku s'i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, s'i epte as aq. Atij i lind e drejta të ikë, të vetëvritet. E drejta e tij, për të qenë melankolik, për të mos e pranuar atë realitet e për t’u vetëvrarë, legjitimohet. …në kët natyrë - e cila nuk mund të quhet natyrë - kush mos të bahet melankolik? Askush nuk ka dyzim dhe na duket e tepërt të nënvizojmë se trumcaku është një qenie.

Natyrisht që shohim vetë Migjenin aty, me të gjithë dhimbat e tij. Ndërthurjet e planeve të zogut me atë të njeriut, paralelizmat e krijimit, thuajse nuk e fshehin aspak domethënien e tij. Duket sikur ai e parandjen dhe e bërtet vdekjen e tij, sikur vjen e na cicëron në vesh që sëmundja e tij u shkaktua prej melankolisë dhe dhimbjes së pamundësisë për të jetuar në një realitet të tillë. Ai thuajse e ka nënvizuar këtë duke ndërtuar një tekst surreal ku shpirtëzon dhe i kthen në qenie edhe sendet, me qëllimin e fundëm sipas Heidegger-it që të gjitha të reflektohen te Qenia poetike: ... Për sa i përket lidhjeve me thelbin e së vërtetës, – thotë Heidegger-i – thelbi i saj e manifeston vetveten si një ekspozim ndaj zbulimit të qenieve.[2]  Pra, në këtë mjedis të ashpër – siç do ta shikojmë më poshtë - edhe të ndërkryer ndaj një zogu të brishtë, të vogël e të zakonshëm, me ngjyra si të dheut, të denjë për përfytyrimin dantesk, luhet drama e individit që nuk sheh rrugëdalje.

Është në natyrën e Migjenit të ç’mitizojë. Ç’mitizon, kulturën, historinë, mënyrën e jetesës, konceptet për jetën e mendësinë kombëtare e sociale; ç’mitizon vetë mitin, “të fuqishmit” e vetë Perëndinë. Vështrimi i tij priret nga të vërtetat, është i thellë, modern e depërtues në të fshehtat e jetës e të qenies. Herë-herë duket se kthehet në një hero absurd që lodhet nga e gjithë kjo dhe hakmerret. Por ai nuk është një Sizif dhe edhe në këtë plan ai ç’mitizon mitin, heroin e lashtë. Ai ngjan me të kur lufton kundër vullnetit të perëndive, por nëse …Sizifi – siç thotë Albert Kamy te “Miti i Sizifit” – për shumë vite, jetoi në harkun e gjirit, pranë detit të shkëlqyer dhe buzëqeshjeve të tokës,[3] trumcaku i vogël, i minimizuar deri në një ironi therëse – e kundërta e heroit që mbartte mbi shpatullat e tij muskuloze gurin e rëndë, jeton në një ferr modern apokaliptik e futurist, pikërisht duke e bërë më të thekëshme pamundësinë për të jetuar në atë realitet e për të shkuar drejt vetëvrasjes. Ai ç’mitizon edhe Perëndinë duke luajtur me fjalët e Biblës: "…të bahet dritë! Dhe drita u ba!" - A shifni? Një fjalë magjike! Hokus-pokus! Sa bukur! Ndihet menjëherë sarkazma dhe ironia në këto fjalë të tij. Dhe në fund, po huazojmë thelbësimin që i bën Z. Vukaj …një aspekt tjetër çmitizues, ka të bëjë me kundrimin e kësaj vdekjeje si diçka cinike. Më së shumti një hara-kiri. Një bjerrje e heroizmit, që jepet nga pamja e erës që luan me puplat e trumcakut të ngulur në heshtën – qime derri, që sillet si gjeli metalik sipër oxhaqeve tona. Ja sa vlen heroizmi. Këtu, duket sikur na thotë autori, s’ke si të rrosh dhe s’ke si të bësh as edhe një veprim të denjë edhe po sakrifikove jetën.[4]

Por, vetëvrasja, si një reagim fatal, nuk ka të bëjë vetëm me revoltën e hakmarrjen, – në rastin tonë nga ai realitet apokaliptik – sepse është një vetëvrasje që e kufizon heroizmin dhe, gjithashtu, në të njëjtën kohë ka të bëjë dhe me respektimin ndaj vetes. Si e tillë ajo kthehet në një tragjedi: ...cicrroi një herë, cicrroi dy herë, cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimbave të tij. Dhe, pa u dhanë krahve, këcej prej brenës… ra mbi një qime të derrit, të gjatë e të mprehtë si thika, dhe u ngul mbi të.

Po si ndodh që poeti i cili kërkon një grusht të fortë t’i bjerë malit që s’bëzan, të shkojë drejt vetëvrasjes me dëshirë? Kjo, nuk është një paradoks, por duhet kërkuar te gjuha e artit poetik, te mjetet me të cilat na flet poezia e Migjenit, sidomos ajo sarkastike e ironike. Artikulimi poetik materializon e nënvizon kështu idetë humane e ekzistenciale, si dhe përjetimin e poetit në raport me realitetin, të gjitha ato forca të arsyes e të pa arsyes. ...Migjenit iu – thotë A. Uçi – shpalos realiteti i mbushur plot me kontradikta e forca armiqësore, me situata paradoksale e absurde. Ai zbulon se lëvizja e jetës njerëzore nuk drejtohet e komandohet vetëm nga forca e arësyes, por merr impulse e goditje të nëndheshme edhe nga forca irracionale. Historia është për poetin arena, ku ndeshen e përleshen forcat e së mirës e të së keqes, forcat krijuese me ato shkatërruese.[5] Dhe jo vetëm një realitet social, por dhe më gjerë, atë ekzistencial. Duke shkuar nëpër rrjedhën e vetëvrasjes ai mu kështu vjen me klithmat e cicërimat e një zogu, duke synuar, pikërisht, vetë “themelet e Ekzistencës të qenies.” Po sipas A. Uçit, te Migjeni: …ndryshe nga dëshirat, nga synimet e vetëdijshme, nga vullneti i njerëzve, në jetë shpërthejnë pasoja të papritura, të paparashikuara, të padëshiruara.[6]

Nuk është e vështirë të hetohet e pikaset që ky poet, më së shumti ekzistencial dhe ekspresionist se realist, është i prirur të zbresë nëpër rrathët e Ferrit dantesk, jo më si një Dante i shoqëruar me Virgjilin, por si një viktimë që përjeton një ferr tokësor, prej të cilit ai kërkon të largohet. Sipas Anastas Kapuranit, në veprën e tij studimore për Migjenin: ... Nëse biem në një mendje me gjykimin e përgjithshëm evropian në lidhje me “Ekzistencën e Njeriut të Mjerimit” dhe pranojmë që “të rrosh do të thotë në radhë të parë të vuash”, më pranë kësaj esence njerëzore është Njeriu i Mjerimit[7]

Nëse te pjesa tjetër e veprës së Migjenit, ...e rëndomta takohet me Dramën dhe nga kjo pleksje e tyre lind një strukturë e madhe me vlerën e një zbulimi të madh për letrat moderne europiane...,[8] te skica në fjalë kjo e rëndomtë vjen vetëm nëpërmjet semantizimit të materies nëpërmjet pranëvënieve dhe montazheve surealiste[9], duke i kthyer në një lëndë të re poetike që i përgjigjet një drame tragjike, e cila përshkohet nga një dritë që përkon me të vërtetat e qenies. Sipas Heidegger-it: ... Poeti thërret atë që duke u zbuluar, bën të duket pikërisht atë që fshihet, d.m.th. e tregon atë ashtu siç ajo arrin të fshihet.[10]

Po cilat janë këto mjete të rëndomta dhe si transfigurohen ato? Cila është drita që përcjell e rëndomta kur takohet me tragjiken? Shikojmë: bar, pemë, qime deri, brina, shtazë prehistorike... Në vend të barit bijshin qime e derrit e në vend të pemve - brinat e një shtazës parahistorike. Shndërrimi na çon në një peizazh apokaliptik apo të paimagjinueshëm nga një mendje e zakonshme; nga të zakonshme ato ndërtojnë një imazh të egër e të frikshëm. Dhe, vendosja e këtij peizazhi të pazakontë si toka e ferrit, për një trumcak të brishtë, ndërton pikërisht atë melankoli, si një gjendje e caktuar që i duhet një vetëvrasjeje të një qenieje të dobët, ngase kështu bëhet më i thekshëm tragjizmi i qenies përballë realitetit.

Figura e trumcakut vetëvrasës është e vizatuar e pikturuar me ngjyrat e të zakonshmes, por edhe ato të lëvizjes, si dhe të shpirtërores, duke na dhënë një figurë poetike e alegorike të plotë e të veçantë në harmoni të plotë me idenë e sublimimit të vetes, deri në vetëvrasje. Cicrrimat e tij janë klithje ekzistenciale tragjike që vajtojnë dhe akuzojnë këtë realitet. Ato i thërrasin botës (lexuesit) me të gjithë kumtin që fsheh fjala zog melankolik dhe i pafuqishëm: dhimbje, dashuri për jetën, klithje për t’u dëgjuar të paktën në çastin e fundit të ikjes. A është aty vajtimi i Migjenit për veten? Kur shikojmë se ka një ripunim të skicës të pambaruar dhe që mban datën e vitit 1938,[11] pak para vdekjes së tij, themi me bindje të plotë se ne lexojmë vetëvrasjen e tij, Migjenit. Po a është një vetëvrasje vdekja e Migjenit? A është melankolia dhe vetëvrasja e trumcakut të tij një pesimizëm i nëvizuar nga shumica e kritikës? Jo, drita që sjell me këtë vetëvrasje buzagaze, dëshira për jetën e të bukurën, përmallimi për jetën që po lë pas, duke ikur me flatrat e cicrimat e zogut, tregojnë se ai edhe në ato çaste të jetës së tij më shumë vuante për të tjerët se për veten. E tërë vepra e tij dëshmon pikërisht këtë. Zogu sa është simbol i poetit, aq është edhe një figurë e mëvetësishme e një qenieje që vuan përballë kësaj mizorie e ferri tokësor, duke u kthyer në një figurë të mrekullueshme polisemantike. Ja si e çmon dhe e vlerëson esteti A. Uçi këtë cilësim të Migjenit si pesimist: ...Kritika vulgare në vend që të përmendte përjetimet e idhta të poetit që vuante si Krishti për gjithë mundimet njerëzore, i vishte nofkën e “pesimistit” atij, që kishte mall për një jetë të gëzuar e të lumtur, për një rini të qeshur. E ç’të bënte poeti? Të qeshte, si Palacuya, “ndërsa zemra t’i pëlciste nga hidhërimi”?!.[12]

Nuk mund të themi se ne kështu po lexojmë testamentin real të Migjenit. Sipas Z. Vukaj: … Klithma e fundit, e gjatë, me jehona kozmike, që del nga shpirti i autorit, kumbon thekshëm në çdo shpirt, si një testament tragjik.[13] Ne jemi të sigurt që ky është testamenti i tij poetik mbi tragjizmin, jo vetëm i jetës së tij, asaj të përditshmes reale, por edhe i atij rrugëtimi në kërkim të së vërtetave që fsheh qenia, të dritës që rri në zemrën e territ, në përplasjet e dilemat që na ofron ekzistenca e mosekzistenca, jeta dhe vdekja, përpjekja për t’i dhënë udhë së mirës e për të luftuar të keqen si në planin e jashtëm makrokozmik edhe në atë të brendshëm të qenies...

[1] A. Uçi, Migjeni, Në vorbullën e të pavërtetave dhe spekulimeve, e diel, 25-05-2008; https://sq.ëikibooks.org/ëiki/Vitviteja/MIGJENI/Alfred_Uci;

[2] Martin Heidegger, Leksione dhe konferenca, sh.bot. plejad, 2003, Tiranë, faq. 215;

[3] Marrë nga Miti i Sizifit – Albert Camus, përktheu Petrit Sinani, postuar në http://ëëë.mnvr.org/miti-i-sizifit;

[4] Z. Vukaj, Homazh për pavdekësinë e Migjenit, gazeta “Dita” e dt. 9 NËNTOR 2015;

[5] A. Uçi, Migjeni, Në vorbullën e të pavërtetave dhe spekulimeve, e diel, 25-05-2008; https://sq.ëikibooks.org/ëiki/Vitviteja/MIGJENI/Alfred_Uci;

[6] Po aty;

[7] Anastas Kapurani: Migjeni ose Parathënia e dyzuar, sht. bot. Onufri, 2010, faq. 283;

[8] Anastas Kapurani: Migjeni ose Parathënia e dyzuar, sht. bot. Onufri, 2010, faq. 312;

[9] Shën. Im. Surealizmi te Migjeni është vërejtur edhe nga Z. Vukaj në një artikull të tij te gazeta “Dita” e dt. 9 NËNTOR 2015: Homazh për pavdekësinë e Migjenit.…Në skicën “Vetvrasja e trumcakut” ndeshemi për herë të parë në letërsinë shqiptare me surrealizmin. Brenda hapësirave të vogla të këtij etydi autori ka marrë pozicionin e krijesës dhe të Krijuesit. Drama e trumcakut është tragjedi. Tragjedi moderne ekzistenciale. Procedimi artistik është sa surreal, aq edhe i guximshëm.

[10] Martin Heidegger, Leksione dhe konferenca, sh.bot. plejad, 2003, Tiranë, faq. 134;

[11] Gazeta Mapo, Zbulohet doreshkrimi i fundit i Migjenit, ...https://ëëë.shqipria.com/Zbulohet-doreshkrimi-i-fundit-i-Migjenit.12636/, Është një fletë e zverdhur e një fletoreje me viza, tipike e kohës në vitet 1938, ajo ku Migjeni ka shkruar një nga momentet e rebelimit dhe filozofisë së një... trumcaku. Në atë fletë të verdhë të shkruar nga Migjeni në Sanatoriumin italian është pikërisht trumcaku që filozofon së tepërmi, që bën ciu-ciu, por që në momentet e sëmundjes së autorit të madh kalon sipër vizave, shprehje e gjendjes së rënduar të poetit që po jetonte ditët e fundit. Dorëshkrimi gjendet në arkivin e Muzeut të Shkodrës, e ndoshta kjo fletë është edhe “quintesenca” jetësore në filozofinë e Migjenit. Ajo filozofi që ka brenda si rebelimin edhe me natyrën, por edhe me pavdekësinë, e cila në fund të shkrimit është quajtur... eternitas.

[12] A. Uçi, Migjeni, Në vorbullën e të pavërtetave dhe spekulimeve, e diel, 25-05-2008; https://sq.ëikibooks.org/ëiki/Vitviteja/MIGJENI/Alfred_Uci;

[13] Z. Vukaj, Homazh për pavdekësinë e Migjenit, gazeta “Dita” e dt. 9 NËNTOR 2015;/Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH