Ceremonia e akordimit të Çmimit Kadare, për fituesin e 2025-ës, do të zhvillohet mesditën e të mërkurës së dy prillit në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Autori Armand Bora dhe triptiku me drama “Ata që mbijetuan” u shpallën fitues të edicionit të njëmbëdhjetë, mes 40 dorëshkrimeve që morën pjesë në garë.
Juria, e përbërë nga tre fituesit mëparshëm të këtij çmimi, Vera Bekteshi, Loer Kume dhe Dionis Prifti, vlerësuan veprën e Borës për risitë stilistikore dhe vlerat e qëndrueshme estetike, i cili me anë të ndërtimit të personazheve autentikë, sjell evokimin e së kaluarës, duke përcjellë mesazhe në realitetin e sotëm.
"Ata hyjnë pa trokitur", "Udha e qumështit" dhe "Domino në burgator", të cilat autori përmbledh nën titullin "Ata që mbijetuan", trajton terrorin psikologjik që jetonin njerëzit e zakonshëm, nën diktatin e përndjekjes dhe dhunë së regjimit komunist. "Ata që mbijetuan" bëhet e para dramë fituese në historikun e Çmimit Kadare, i cili jepet për veprën më të mirë në prozë në gjuhën shqipe.
Nën synimin për të mbështetur të shkuarit shqip dhe promovimin e shkrimtarëve të rinj, Çmimi Letrar Kadare regjistron një sërë emrash të spikatur dhe veprash cilësore që janë bërë pjesë e tij prej vitesh.
Fituesit ndër vite:
2015 – Rudolf Marku, “Tre divorcet e Zotit Viktor N.” (Roman)
2016 – Shkëlqim Çela, “Embriologji” (Novela)
2017 – Musa Ramadani, “Profeti nga Praga” (Roman)
2018 – Virgjil Muçi, “Piramida e shpirtrave” (Roman)
2019 – Loer Kume, “Amygdala Mandala” (Tregime)
2021 – Gani Mehmetaj, “Zogjtë e Qyqes” (Roman)
2022 – Vera Bekteshi, “Pusulla të verdha” (Roman)
2023 – Nurie Emrullai, “Duhet të jetë dashuri” (Roman)
2024 – Dionis Prifti, “Dy javë nën balonë” (Novelë)
2025 – Armand Bora, “Ata që mbijetuan” (Drama)
2020-ta ishte i vetmi vit që konkursi letrar nuk u zhvillua për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila e privoi shoqërinë njerëzore nga aktivitetet dhe veprimtaritë e zakonshme. Por në kremtimin e 10-vjetorit të këtij çmimi, që mban emrin e shkrimtarit më të rëndësishëm shqiptar, u akordua një Çmim Special, i cili shkoi për Preç Zogaj dhe përmbledhjen e tij poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”.
I themeluar 11 vjet më parë, çmimi jepet nga shtëpia botuese UETPRESS, në partneritet me Universitetin Europian të Tiranës, Institutin Liberal PASHKO dhe gazetën LIBERALE. Të gjitha këto institucione bëjnë të mundur qe çdo dorëshkrim fitues të shohë dritën e botimit, të ketë një tur promovimesh, e të shkojë drejt e te lexuesi përmes bisedave e intervistave në rrethe letrare dhe media.