Letërsi

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Bindja e verbër e Ahmet Zogut se Musolini nuk do e pushtonte Shqipërinë

Shkruar nga Liberale

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Bindja e verbër e Ahmet Zogut se

Në shtator 1928, me mbështetjen e italianëve, Zogu u vetëshpall Mbret i Shqiptarëve. Ai ishte mbret që nuk ngurronte të jepte intervista dhe njëra nga pyetjet e para që i bënë gazetarët kishte lidhje me depërtimin e shpejtë të italianëve në Shqipëri përmes kredive që ata po jepnin. Në bisedën me të përditshmen e Londrës Daily Telegraph, Zogu i tha gazetarit se populli shqiptar nuk do t’i nënshtrohej kurrë sundimit italian. “Por, - tha ai, - duhet të kemi parasysh pozitën tonë. Ne jemi shekuj prapa Europës përsa i përket qytetërimit. Njerëzit nuk dinë shkrim e këndim. Pak ligje respektohen dhe gjakmarrja bën kërdinë në shumë pjesë të vendit. Unë jam i vendosur për civilizimin e popullit, që ata të përqafojnë sa të jetë e mundur zakonet perëndimore. Por ne nuk mund ta bëjmë dot këtë pa ndihmë nga jashtë.”(25 )
 

“Natyrisht, - shtoi Mbreti i sapokurorëzuar, - meqenëse Italia po na jep paratë, ajo ka të drejtën të mbikëqyrë shpenzimin e tyre. Prandaj janë kaq shumë italianë që punojnë tek ne. Por kjo nuk do të thotë se kemi humbur pavarësinë politike. Ne jemi ende zotër të vetes.”(26)
Brenda pak viteve në Shqipëri u ndërtua një rrjet rrugësh që lidhnin qytetet më të rëndësishme. Vetë Mbreti e kishte shumë për zemër ndërtimin e rrugëve si sjellëse të zhvillimit.(27)
Veprat që u ndërtuan, si Ura e Zogut mbi Mat dhe serpentinat e Qafë Shtamës nuk kishin të sharë.(28)
Por investimet në bujqësi ishin shumë më të kursyera dhe të bëra pa përgjegjësi. Për ndërtimin e një kanali në fushën e Shkumbinit afër Kavajës u shpenzuan tre milion franga ari, por pastaj doli se toka nuk ishte e pjerrët sa duhej për të kulluar ujin e vërshimeve.(29)
Duke qenë se rrugët dhe urat, që ishin vepra të mirëfillta inxhinierike, kishin rëndësi strategjike për Italinë, puna për ndërtimin e tyre u mor shumë seriozisht. Ndërkaq, përmirësimi i ekonomisë shqiptare nuk ishte përparësi për qeverinë e Musolinit.
E gjithë kjo lëvizje shkaktoi nervozizëm të madh te jugosllavët, të cilët e shihnin financimin e Shqipërisë nga Roma si përgatitje të italianëve për aventura ushtarake në Ballkan. Në të vërtetë, disa nga rrugët kryesore që po ndërtoheshin, të çonin drejt Jugosllavisë dhe Greqisë.

Zogut vërtet i pëlqenin paratë e italianëve, por edhe Shqipëria i kishte bërë jo pak koncesione Italisë. Shoqëria italiane AIPA kishte fituar të drejtën të shfrytëzonte naftën e Kuçovës. AGIP mbante monopolin për eksportimin e karburanteve në Shqipëri, megjithëse benzina e saj e keqe u bëri mjaft dëm motorëve të makinave dhe autobusëve që qarkullonin në rrugët e vendit. Pra, - argumentonte Zogu, - italianët nuk kishin pse t’i shihnin kreditë që jepnin si një nder që i bënin fqinjit të vogël, kur për vete kishin marrë koncesione me vlerë.
Nuk është e qartë se deri në ç’masë i kuptonte Zogu rreziqet që mund t’i vinin nga Musolini, por në një takim me ministrin amerikan Bernstein, ai iu shpreh me këto fjalë: “Italia më ka siguruar se ajo nuk do asgjë tjetër në Shqipëri përveçse të mbrojë dhe të ndihmojë pavarësinë tonë. Musolini dhe Grandi (30) ma kanë dhënë një siguri të tillë dhe unë besoj se, sa të jetë gjallë Musolini e sa të jetë në pushtet, ai do ta mbajë fjalën. Unë e njoh për burrë që e mban fjalën. Ai i mban premtimet. Deri tani Italia ka qenë mjaft korrekte në qëndrimin kundrejt Shqipërisë.”(31)
Kjo deklaratë i përket korrikut të vitit 1930. Nuk do të kalonte shumë dhe marrëdhëniet do të merrnin një kthesë dramatike. Shqipëria hyri në ngushticë të madhe financiare. Ajo nuk ishte në gjendje të paguante interesin e prapambetur të huasë, i cili ishte grumbulluar dhe peshonte mjaft mbi financat e vendit, edhe për shkak se eksportet kishin rënë si rrjedhojë e krizës ekonomike botërore.

Italia e shfrytëzoi këtë gjendje si një mjet të ri trysnie. Ajo i ofroi Shqipërisë 10 kredi vjetore me nga 10 milion franga ari secilën. Por Musolini kërkonte lëshime të tjera. Ai donte bashkimin doganor mes dy vendeve, kontroll të plotë mbi ushtrinë dhe financat e vendit, zëvendësimin e organizatorëve anglezë të xhandarmërisë me oficerë italianë dhe sidomos vendosjen e familjeve italiane në tokat bujqësore të Shqipërisë. Mbreti nuk pranoi dhe në vitin 1934, Italia e ndërpreu kredinë e tretë vjetore me arsyen se Shqipëria nuk po zbatonte klauzolën për “bashkëpunim të përzemërt” që përmbante pakti mes dy vendeve. Mbreti shpalli në parlament se do të bënte kursime për të balancuar buxhetin dhe heqja e organizatorëve ekonomikë e ushtarakë italianë ishte njëra nga masat. Kjo i xhindosi italianët.

25. “Interview with Albanian King”, The Daily Telegraph, 12 tetor 1928.
26. Po aty.
27. P. T. Etherton & A. Dunscombe Allen, Through Europe and the Balkans (London: Cassell and Co., 1928), f. 195.
28. Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis II (Londër: Poets’ and Painters’ Press, 1966), f. 203.
29. Po aty.
30. Dino Grandi, ministër i Jashtëm i Italisë, 1929-1932.
31. H. Bernstein për Sekretarin e Shtetit, 31 korrik 1930, NACP, 875.00/298.

*Shkëputur nga “Pushtimi, Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” me autor studiuesin Ilir Ikonomi, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH