Letërsi

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Jeta luksoze dhe shpenzimet pa kriter të Ahmet Zogut dhe motrave të tij

Shkruar nga Liberale

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Jeta luksoze dhe shpenzimet pa kriter

Vëzhgues të ndryshëm e shihnin në mënyra të ndryshme Zogun. Shumë prej tyre e portretizonin si autokrat, të tjerë si diktator. E vërteta është se, gjatë shumë viteve në pushtet, monarku shqiptar, i cili në thelb qeveriste i vetëm, ishte bërë gjithnjë e më autoritar. Ai provokonte vetë “kriza” qeveritare për të zëvendësuar njerëzit që nuk i pëlqenin në kabinet. Parlamenti ishte formal dhe zgjidhej sipas një sistemi që praktikisht lejonte qeverinë të vendoste se kush do të ishte deputet. Për të gjitha çështjet e mëdha kuvendi i bindej urdhrave të Pallatit, pavarësisht se deputetët ishin tërë ditën të zënë me dërdëllitje për imtësirat e ligjeve që nuk i prishnin asnjë punë Zogut.

Mbreti vazhdonte të shpenzonte shumë, për veten dhe për oborrin. Kur tre princeshat vizituan Amerikën në mars të vitit 1938, shtypit amerikan i ra në sy luksi, përpjekja për të treguar kamje edhe pse dihej që ato vinin nga një vend i varfër. Gazetat njoftuan se në kthim, motrat blenë dy baule me këpucë dhe se kishin ndërmend të bënin pazaret në Paris në përgatitje për dasmën e të vëllait.(42)
Pas martesës në prill 1938 me konteshën Geraldine Apponyi, bukuroshen e njohur si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, Zogut iu shtua një shpenzim i ri. Por ai nuk trembej nga faturat dhe e jetonte çdo ditë sikur ajo të ishte e fundit e jetës së tij.
Në mbrëmjen e Vitit të Ri 1939, paraja u derdh edhe një herë si lumë në pallatin e Zogut. Një dëshmitar i festës, gazetari amerikan Cyrus Sulzberger (Sajrës Sallsbërger), tregon se oborri i Zogut u shfaq me tërë ekstravagancën e tij; të ftuarit, të gjithë njerëz të sërës, deputetë, ministra të kabinetit, oficerë plot dekorata, duke përfshirë edhe mercenarë rusë të bardhë me uniforma cariste, mbushnin sallën e improvizuar 30 metra të gjatë me tavan të lartë dhe mure prej dërrase, ngjitur me Pallatin.

Në njërën anë të sallës ishte vendosur portreti i nënës së ndjerë të Mbretit Zog; muret e tjera ishin zbukuruar me kostume popullore shqiptare të hapura në formë fluturash dhe ndërmjet tyre kishin zënë vend pistoleta e shpata të varura në mënyrë të tillë që të formonin gërmën Z për nder të Zogut. Tryezat ishin mbushur me ushqime dhe verë që servireshin me pjata të lara me flori dhe me gota prej kristali bohemian.(43)

Në çastin e ndërrimit të viteve, kur dritat u shuan dhe ngeli vetëm ndriçimi i zbehtë i qirinjve, Mbreti ngriti gotën e shampanjës dhe tha në gjuhën shqipe: “Gëzuar Vitin e Ri këtu në shtëpinë time dhe kudo.” Pas kësaj, ai puthi Mbretëreshën dhe dritat u ndezën përsëri. Filluan të ndahen me short pakot e Vitit të Ri, brenda të cilave kishte çorape, kravata, shami dhe sende të tjera. Të gjithë morën nga një dhuratë. Burrave u ranë këmisha, copa për kostum, triko, tiranta; grave veshje të brendshme, copa për fustan dhe parfume.

“Njerëzit vazhduan të hanë, - tregon Sulzberger. Shampanja, fuagraja, sallatat dhe akulloret gllabëroheshin nën llampadarët që vezullonin nga qirinjtë e ndezur – dhe e gjithë kjo në një vend të uritur. Unë shtanga duke parë krerë fisesh që shuanin bishtat e cigareve mbi qilimat e mrekullueshëm persianë.”

I gjithë ky zell për ekstravagancë dhe kjo mungesë vetpërmbajtjeje kishin brenda shenjat e dëshpërimit. Prej kohe Zogu e kishte humbur gjallërinë, rininë dhe aktivizmin e 15 viteve më parë, kur veprimet e tij motivoheshin kryesisht nga qëllime të larta si bashkimi kombëtar dhe pavarësia. Ishte një lodhje e natyrshme që vinte pas një qëndrimi të gjatë në pushtet dhe që e shtynte monarkun shqiptar të mos shihte rrugëdalje tjetër përveç ruajtjes me çdo kusht të këtij pushteti, për veten dhe për familjen e tij të madhe.

42. “Princesses Quit America”, Hutchison Kansas News, 23 mars 1938.

43. Sulzberger, A Long Row of Candles, f. 57.

*Shkëputur nga “Pushtimi, Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” me autor studiuesin Ilir Ikonomi, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH