Sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho po zhvillon në Tiranë një masteclass për artistët e kantos. Me dëshirën për të ndarë eksperiencën e vet, artistja u ndje shumë e zhgënjyer pasi ftesës së saj iu përgjigjën shumë pak pedagogë dhe studentë të Arteve, madje salla ishte mbushur kryesisht me artistë shqiptarë të Diasporës dhe Kosovës.
“Po e mbaj e po e mbaj por po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk ka pasur asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, deklaroi ajo.
Në valën e zhurmës që kanë shkaktuar lajmet dhe videot e sopranos, vjen reagimi i parë i një tjetër artisti shqiptar. Tenori Josif Gjipali, njëkohësisht pedagog në Universitetin e Arteve, shprehet në një postim në Facebook, se nuk ka nevojë që të shkojë në masterclass pasi disa prej roleve të tij i ka mësuar nga mjeshtra botërorë.
Lidhur me mungesën e studentëve, Gjipali thotë se atyre nuk duhet t'ua qaj hallin njeri, pasi ata dinë të këndojnë dhe janë shumë të zotë e të talentuar. Reagimin e tij tenori e mbyll me një urim ironizues, duke iu uruar të gjithëve "jetë të lumtur dhe pa mllefe".
“Unë jam pjesë e stafit të pedagogëve të kantos në Universitetin e Arteve. Unë nuk kam nevojë të shkoj në asnjë master class pasi Attilen ma ka mësuar Riccardo Muti , Rigoletto e Don Carlo mi ka mesuar Zubin Mehta. I due Foscari sapo ma mësoi në Genova, Renato Palumbo. Nuk besoj se ndonjë nga koleget e mi pa ju hequr asnjë vlerë si interpretues mund të m'i mësojë më mirë. Uroj hienat që nxitojnë të komentojnë në ndonjë deklaratë që shpresoj të ketë qenë e nxituar në inat e sipër të jetë më e kursyer.
Studentët e Universitetit të Arteve kanë qenë të zotët të këndojnë, të mos ua qajë njeri hallin. Dy prej tyre sapo fituan në Spoleto, ku isha si anëtar jurie mes sa e sa konkurrentëve, të drejtën e bursës. Jetë të lumtur e pa mllefe ju uroj të gjithëve”, shkruan Gjipali./Liberale.al