Arte

Një mashtrim artistik që bëhet dokumentar/ Historia e pabesueshme e Bienales së Tiranës 2001

Shkruar nga Liberale.al

Një mashtrim artistik që bëhet dokumentar/ Historia e pabesueshme

Një nga ngjarjet më të çuditshme në botën e artit bashkëkohor ka ndodhur pikërisht në Bienalen e parë të Tiranës, në vitin 2001. Ajo që nisi si një ftesë për pjesëmarrje për fotografin e famshëm italian Oliviero Toscani, përfundoi si një nga mashtrimet më të mëdha në botën e artit dhe tani është bërë temë e një dokumentari të ri.

Producenti Matteo Pecorara rrëfen se ideja për dokumentarin nisi rastësisht, pas leximit të një artikulli në gazetë. "Na dukej një histori aq argëtuese dhe ndryshe, saqë vendosëm të bëjmë një dokumentar që të jetë po aq surprizues sa edhe ngjarja vetë", thotë ai.

Gjithçka nisi në dhjetor të vitit 2000, kur në emër të Toscanit u nisën disa email-e drejt organizatorëve të Bienales së Tiranës, ku ai shprehej i gatshëm të kuronte një pjesë të ekspozitës. Ai “propozoi” katër artistë për të marrë pjesë: Bola Equa, Hamid Piccardo, Carmelo Gavotta dhe Dimitri Bioy.

Por këta artistë nuk ekzistonin fare.

I gjithë projekti ishte një mashtrim. Artistët ishin të sajuar, veprat e tyre ishin përzgjedhur nga interneti përfshirë video pornografike dhe fotokopje të zakonshme dhe pas adresës false të Toscanit fshihej një njeri i zakonshëm nga periferia e Genova-s: Marco Lavagetto. Një person i apasionuar pas artit, letërsisë dhe maskave identitare, që për profesion përgatiste mbulesa për arkivole.

Mashtrimi i Bienales u bë edhe më i madh kur ajo u hap vetëm pak ditë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, dhe në një nga veprat e ekspozuara ishte edhe një foto e Osama Bin Laden. Kjo bëri që ngjarja të tërhiqte edhe vëmendjen e autoriteteve italiane kundër terrorizmit.

Dokumentari ngre pyetje të thella për atë se çfarë është arti sot, kush vendos për vlerën e tij dhe sa e lehtë është të mashtrosh botën e artit, kur pas një mashtrimi qëndron një rrëfim inteligjent dhe i ndërtuar mirë.

Edhe pse ekipi i dokumentarit u përpoq të intervistonte Edi Ramën, në atë kohë kryebashkiak i Tiranës dhe vetë një artist, ata nuk arritën ta kontaktojnë. “E pamundur ta takonim, por vendosëm të vazhdojmë, dhe ta paraqesim dokumentarin si një vepër arti në vetvete,” tha Pecorara.

Në fund, Marco Lavagetto u dënua vetëm për vjedhje identiteti, ndërsa të gjitha akuzat e tjera u rrëzuan. Historia e tij mbetet një shembull se si arti, ironia dhe mashtrimi mund të ndërthuren në mënyrë të pazakontë dhe t’i lënë botës një tregim që meriton të tregohet.

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH